
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, të kryesuar nga Kastriot Lajçi.
Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe anëtarët e Komisionit Komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, me të cilët u diskutua për situatën e krijuar pas vërshimeve të fundit në territorin e komunës. Kryetari Idrizi bëri të ditur se fokusi i diskutimeve ishte vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare, në sektorin e bujqësisë si dhe në infrastrukturë. Ai theksoi se bashkëpunimi mes nivelit lokal dhe atij qendror është thelbësor për një proces të drejtë dhe të saktë vlerësimi.
“Gjatë takimit u diskutua për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në ekonomitë familjare, sektorin e bujqësisë si dhe në infrastrukturë. Bashkë do të punojmë ngushtë për një vlerësim të saktë dhe gjithëpërfshirës të dëmeve”, ka deklaruar Idrizi.
Ai ka siguruar qytetarët se Komuna e Vushtrrisë do të vazhdojë angazhimin për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga vërshimet, në koordinim të plotë me institucionet qendrore.
“Komuna e Vushtrrisë mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me institucionet qendrore, të ofrojë mbështetje për qytetarët e prekur dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për tejkalimin e pasojave të vërshimeve”, është shprehur kryetari i Vushtrrisë.