Çitaku, e shokuar pas vrasjes së gruas shtatzënë: Nuk kam fjalë.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është shprehur e shokuar pas raportimeve për vrasjen e një gruaje shtatzënë para Klinikës së Gjinkekologjisë në QKUK.
“E shokuar! Nuk kam fjalë për krimin që ndodhi pak më parë në QKUK, ku ish-bashkëshorti dyshohet se ka vrarë gruan e tij shtatëzënë para Klinikës së Gjinekologjisë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo, vrasësin e gruas e ka quajtur monstrum, duke thënë se ai meriton dënim maksimal.
“Dy gra që vriten pikërisht brenda periudhës së kampanjës kundër dhunës me bazë gjinore. Për monstrumin e sotëm që shuajti dy jetë, një në mes e tjetrën pa filluar ende, dënim maksimal. Shteti të reagoj fuqishëm dhe pa kompromis. Ngushëllimet më të thella familjes. E pikëlluar sa s’ka!”, ka shkruar ajo.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Gazetën Express, tha se dyshimet e para sugjerojnë së bëhet fjalë për vrasje.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.
Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”.