“Dështuat t’i siguroni vendvotimet e rregullta”, Vlora Çitaku kritikon Sveçlën pas fotove të tij nga veriu.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kritikuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili sot teksa publikoi disa foto nga veriu i Mitrovicës, tha se “tashmë kjo pjesë frymon më ndryshe”.
Çitaku e ka kritikuar Sveçlën duke thënë se ka dështuar në sigurimin e vendvotimeve të rregullta.
“Ministri i Punëve të Brendshme paska thënë për veriun e vendit ‘Kjo pjesë tashmë frymon ndryshe’. Po Ministër, frymon në kontejnerë. Qeveria e juaj ka dështuar t‘i sigurojë vendvotimet e rregullta. Mos u krekos. Mos na shit dushk për gogla”, ka shkruar Çitaku.
Nesër më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në këto dy të fundit votohet edhe për asamble.
Përveç se do të votohet për kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, do të votohet gjithashtu edhe për dy kuvende komunale, atë të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb, ndërsa nuk merr pjesë Lista Serbe.