Vlora Çitaku-Kurtit: Ose çoi letër NATO-s e tërhiqu nga marrëveshja, ose mos bëj lojëra pa shije për konsum të brendshëm

13:46 | 20 Maj 2021

Çitaku-Kurtit: Ose çoi letër NATO-s e tërhiqu nga marrëveshja, ose mos bëj lojëra pa shije për konsum të brendshëm.

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku thotë se kryeministri Kurti duhet ta dërgojë letrën e marrëveshjes edhe tek Sekretari i NATO-s dhe të tërhiqet nga zotimi nëse mendon se është bërë tradhëti kombëtare, raporton Gazeta Express.

Çitaku ka shkruar se nëse Kurti nuk e dërgon letrën e marrëveshjes atëherë ajo është vetëm lojë pa shije për konsum të brendshëm.

“Kryeministri Kurti e paska dërguar në Prokurori zotimin e ish Kryeministrit të Kosovës se nuk do të zbarkojë FSK-në në veri pa koordinim me KFOR-in. Nëse vërtetë z.Kurti mendon se një zotim i tillë është tradhëti kombëtare, ai menjëherë duhet të dërgojë letrën tek Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s duke u tërhequr nga ky zotim të cilin e kanë dhënë të gjithë Kryeministrët e Kosovës pas Thaçit. Në të kundërtën, kjo është vetëm një lojë pa shije për konsum të brendshëm, por me pasoja për relacionet tona me aleatët”, ka shkruar ajo.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vazhdon që ta konsiderojë marrëveshje të dëmshme në mes të Kosovës dhe NATO-s për interesin e qytetarëve

“Marrëveshja në fjalë që ka qenë një shkëmbim i letrave që ju e përmendet ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e qytetarëve të Kosovës. Unë vazhdoj t’i qëndroj pas asaj që kam thënë në vitin 2020. Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së për shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij. E kam akuzuar titullarin e mëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës që kam dhënë firmën në një shkresë të tillë. Një problem që i ka rrënjët 8 vite më parë nuk mund të adresohet e rregullohet me një takim të vetë. Atëherë çështjen e kam referuar në prokurori dhe i mbetet prokurorisë. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-së do të vazhdojnë që të thellohen”, tha Kurti

Komento: