Vlora Çitaku në iftar me Donald Trumpin, thotë se i ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në proceset në të cilat po kalon Kosova.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në një iftar të shtruar në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Donald Trump, ka kërkuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Përmes një postimi Çitaku ka thënë se ishte ulur përkrah Trumpit e ka thënë se i ka treguar atij se “në shtetin tonë sekular, ka një kulturë tolerance dhe harmoni ndërmjet religjioneve”.
“Po ashtu, e njoftova në detaje mbi sfidat me të cilat ballafaqohemi aktualisht në Kosovë dhe biseduam mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon shteti ynë i ri”, ka thënë ajo.