Vlora Çitaku për mburrjen e Kurtit për tri vizitat në Elysee: Sinqerisht, për keqardhje

23:06 | 10 Nëntor 2022

Mburrja e Kurtit për tri vizitat në Elysee, reagon Vlora Çitaku: Sinqerisht, për keqardhje.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili me mburrje tha se për herë të tretë brenda dy viteve po e viziton Pallatin Presidencial Elysee.

Përmes një shkrimi në Facebook, Çitaku tha se dy nga këto tri vizita kanë qenë pritje për të gjithë udhëheqësit e shteteve, përfshirë edhe presidentin serb, Aleksandër Vuciq si pjesë e konferencave ndërkombëtare.

Sipas saj, kjo deklaratë e Kurtit është për keqardhje.

“Si Ambasadore psh, kjo i bie sikur me i numru e me u mburrë me kartolinat e ftesat për festat e fundvitit në Shtëpinë e Bardhë, që ju shkojnë me automatizëm të gjitha misioneve diplomatike. Sinqerisht, për keqardhje”.

Kujtojmë se Kurti shkroi në Facebook se “U ktheva në Elysee, hera e tretë në dy vite. E falënderova Presidentin Emmanuel Macron për propozimin franko-gjerman si një bazë e mirë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi të përkushtuar për sundimin e ligjit dhe Presidenti Macron ka konfirmuar mbështetjen e tij për paqe dhe siguri”.

Komento: