Vlora Çitaku: Sovraniteti është i rëndësishëm, por edhe aleancat

20:29 | 21 November 2022

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas takimit të mbajtur në Bruksel në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

Çitaku përmes një postimit në twitter ka thënë se sovraniteti është i rëndësishëm, por edhe aleancat.

“Si kaluam nga diskutimi për normalizimin dhe njohjen reciproke, në grindjet e vogla për targat?! Sovraniteti është i rëndësishëm, por edhe aleancat”, ka shkruar ajo.

Pas përfundimit të takimit të sotëm trilateral BE-Kosovë-Serbi, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politkë të Jashtme, Josep Borell, deklaroi se ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai cili nuk u pajtua me propozimet e BE’së për një zgjidhje për rrugën para për çështjen e targave.

“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiç e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell.

“Sundimi i ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensionim dhe eskalim të situatës”, ka thënë Josep Borrell në konferencë për shtyp, derisa e fajësoi, siç tha ai, “në veçanti Kosovën” për mosrezultat.

Komento: