Von Cramon: Nuk ka arsye që qytetarëve të Kosovës mos t’i hiqen menjëherë vizat

17:47 | 10 November 2022

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar pas vendimit se vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.

Cramon në një postim në Twitter ka thënë se nuk ka arsye që qytetarëve të Kosovës mos t’i hiqen vizat menjëherë.

“Pra, pse vetëm në nëntor 2023? Nuk ka arsye që të mos i hiqen menjëherë vizat qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar von Cramon në Twitter.

Sot, as pas mbledhjes së dytë të Grupit Punues për Vizat, nuk ka pasur ndonjë konsensus për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Grupi Punues për Vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot për heqjen e vizave për Kosovën, por nuk ka arritur asnjë rezultat.

Presidenca çeke, që drejton aktualisht Këshillin e BE-së, njofton se është diskutuar propozimi për ta lidhur liberalizimin e vizave me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, që ndodh në nëntor të 2023-s, por nuk ka pasur konsensus.

Ndërsa, Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj, ku edhe me 12 tetor të këtij viti, një gjë e tillë u konfirmua sërish.

Komento: