Von der Leyen i kërkon Kurtit uljen e tensioneve në Veri

16:09 | 22 Gusht 2023
von-der-leyen-i-kerkon-kurtit-uljen-e-tensioneve-ne-veri

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bisedoi të hënën në  darkë me kryeministrin e Kosovës,Albin Kurti për nevojën e uljes së tensioneve në veri të Kosovës dhe për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë. Takimi u zhvillua në Athinë në një darkë joformale, të organizuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Presidentja e Komisionit Evropian, shkroi në X, i njohur më parë si Twitter, se me kryeministrin Kurti, “foli edhe për nevojën për t’u riangazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Është jetësore kapërcimi i pengesave në rajon dhe sjellja e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së”. Nga ana e tij, kryeministri Kurti, shkroi në X se “në takim me shefen e KE-së theksoi rëndësinë për zbatimin e plotë, pa kushte, të Marrëveshjes Bazike.” “Ishte kënaqësi ta takoja presidenten e Komisionit Evropian, në Athinë. Ne biseduam për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin rajonal dhe planin e BE-së për rritje për WB6 (Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor), si dhe dialogun”.

Më vonë në një komunikatë për medie nga zyra e kryeministrit, thuhet se Kurti “kujtoi takimin e Bratislavës më 10 korrik për de-eskalim dhe theksoi se për rreth dy muaj nuk ka asnjë incident e as protesta të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës, ndërkohë që kemi edhe numër të shtuar të punëtorëve në ndërtesat komunale. Kosova ka zbatuar zotimet e saj dhe është e rëndësishme që BE të largojë masat”, thuhet në komunikatë.

Bashkimi Evropian, por edhe SHBA-të vazhdimisht po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet në veri dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja lokale në katër komunat e banuara me shumicë serbe, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut./FrontOnline/

Komento: