Vonesa në certifikimin e rezultateve rrezikon afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit

09:56 | 29 Janar 2026
vonesa-ne-certifikimin-e-rezultateve-rrezikon-afatin-kushtetues-per-zgjedhjen-e-presidentit

Ka kaluar një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk është kryer certifikimi i rezultateve. Rinumërimi i votave është në proces, dhe derisa ai të përfundojë, nuk mund të bëhet certifikimi zyrtar. Megjithatë, pritjet janë që ky proces të përfundojë së shpejti.

“KQZ ka bërë të ditur se procesi i plotë i rinumërimit pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji, respektivisht deri të premten apo më së voni të shtunën, pas së cilës Komisioni do të mund të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.Në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesa dhe kundërshtime ndaj rezultateve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Në rast se palët nuk janë të kënaqura me vendimin e PZAP-it, çështja mund të procedohet më tej në Gjykatën Supreme”.

Elezi tha se pas përfundimit të të gjitha afateve ligjore dhe zbatimit eventual të vendimeve të PZAP-it apo Gjykatës Supreme, KQZ do të bëjë certifikimin e rezultateve, çka sipas tij njëkohësisht do të shënojë edhe përfundimin zyrtar të procesit zgjedhor.

Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga KDI-ja, tha se vetëm pas përmbylljes së të gjitha procedurave ankimore KQZ-ja mund të shpallë rezultatet përfundimtare.

Sipas tij, shpallja e rezultateve përfundimtare shoqërohet me një cikël tjetër ankesash, me afat të përgjithshëm deri në 13 ditë për parashtrim dhe vendimmarrje nga PZAP dhe Gjykata Supreme.

Nëse nuk ka ndonjë vendim të jashtëzakonshëm gjyqësor që do ta ndryshonte rrjedhën e procesit, këto afate na çojnë realisht në mesin e muajit shkurt si momentin më optimal për certifikimin e rezultateve. Kjo do të thotë se Kuvendi i ri do të ketë një dritare kohore mjaft të ngushtë funksionimi. Brenda rreth tri javësh do të duhet të përmbyllen një sërë procedurash thelbësore, përfshirë konstituimin e Kuvendit përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve, formimin e Qeverisë, miratimin e buxhetit dhe ushtrimi i funksioneve të tjera kushtetuese”

Paralelisht, sipas tij  ekziston edhe afati kushtetues i 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Ky është kufiri i fundit kushtetues, pas të cilit moszgjedhja e Presidentit përbën shkelje të Kushtetutës dhe hap rrugën për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Një gjë e tillë nuk po ndodhë rastësisht sipas njohësit të çështjeve politike, Visar Dili.

” Derisa fillojë ky procesi i rinumërimit në terë vendin është ditë që mrapa qendron LVV pasi e ka fuqinë politike brenda KQZ-së duke u nis nga fakti që KQZ …Kam qenë i bndur që gjithçka është politike në formën që të neglizhohet apo të shtyhet procesi”

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor, erdhën pas nëntë muajsh bllokade institucionale, me pritjen që të hapnin rrugë për stabilitet politik dhe funksionim normal të institucioneve. Megjithatë, zvarritja e procesit të rinumërimit dhe certifikimit të rezultateve po e shtyn këtë pritje, duke rrezikuar respektimin e afateve kushtetuese dhe krijimin në kohë të institucioneve të reja të vendit.

Komento: