Vonohen deputetët, Opozita lëshon seancën e Kuvendit

14:19 | 03 October 2022

Partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë e kanë lëshuar seancën e Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se është e paarsyeshme dhe e palogjikshme pritja e deputetëve.

“Është shumë me rëndësi me kuptu se kuvendi merr vendime me shumicë. Kemi më shumë se katër orë kuorum për votim, dhe kuvendi nuk po voton. Kjo nuk është në të mirë të demokracisë dhe as të parlamentarizmit”.

“Është e paarsyeshme që ne të vazhdojmë të marrim pjesë në seancë duke marr parasysh këtë sjellje ku na pamundësohet që disa orë të votojmë mbi bazën e vullnetit të lirë të deputetëve duke pritur që kuvendi t’i bëjë 61 deputetë”.

“E paarsyeshme dhe e palogjikshme. Momenti që kuvendi ka 61 deputetë, detyrë e kryetarit të kuvendit është që të fillojë seancën dhe Kuvendi të vendosë me votë lirë”, tha ai.

Shefi i Grupit të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi përgjegjësi e angazhim nga pozita duke shtuar se po vërehet menaxhim i dobët në çdo sektorë.

“Si Grup Parlamentar kërkojmë përgjegjësi dhe angazhim nga mazhoranca. Po shohim menaxhim të dobët”.

Edhe shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se në mungesë të kushteve të punës seanca duhet të mbyllet.

“Nuk ka kushte të punës dhe mendoj që duhet të mbyllet seanca”.

Komento: