Vonohen pensionet, kjo është arsyeja

14:11 | 25 Janar 2019

Pensionistët sot kanë pritur që t’i marrin pensionet.

Ndonëse sot është data 25 janar pensionistëve në llogaritë e tyre ende nuk u janë ekzekutuar mjetet që u takojnë.

Gazeta Alo për këtë vonesë ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Financave, dikaster ky i cili edhe bën ekzekutimin e mjeteve nga buxheti i vendit.

Mirëpo, në këtë të fundit kanë thënë që për këtë duhet t’i drejtohemi Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“ Ju lutem për këtë çështje drejtohuni në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave, për Gazetën Alo.

E, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka konfirmuar për Gazetën Alo se pagesa e pensioneve do të ndodhë sot.

“Pagesa e pensioneve do të bëhet sot”, thënë shkurt për Gazetën Alo, udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Bahri Xhaferi, pa shpjeguar arsyet e vonesës.

Vitin e kaluar ishte paralajmëruar që pensionistëve kosovar do t’u dalin pensionet me rritje në llogaritë e tyre bankare për muajin janar, prej 15 deri 20 për qind nga pensioni bazë, kjo gjë nuk do të ndodhë.

Kjo për arsye se nuk është miratuar ende në lexim të dytë projektbuxheti për vitin 2019.

Sipas të dhënave ende jozyrtare, pensionet e pleqërisë, ata që marrin nga 75 euro aktualisht, me buxhetin e ri do të marrin 90 euro. Kurse pensionistët kontribut- pagues nga shuma prej 230 eurove, do të marrin 34 euro më shumë në muaj.

Numri i përgjithshëm i pensionistëve në vend është rreth 170 mijë, prej tyre 125 mijë janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, që marrin nga 75 euro në muaj, ndërsa 45 mijë janë kontribut-pagues, që ndahen në katër kategori, të cilët marrin nga 158 deri në 230 euro në muaj në bazë të përgatitjes së shkollimit.

Komento: