Votat e diasporës në rrezik, KQZ i jep kontratë me çmim dyfish kompanisë që humbi pasaporta

15:08 | 20 January 2025
votat-e-diaspores-ne-rrezik,-kqz-i-jep-kontrate-me-cmim-dyfish-kompanise-qe-humbi-pasaporta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që ta shpërblejë me tender kompaninë “AL Dushi SH.P.K” për bartjen postare, dërgimin e materialeve votuese nëpër vendvotime në ambasada të Kosovës nëpër tërë botën dhe kthimin e fletëvotimeve në Kosovë, ndonëse kompanisë së njëjtë i ishte shkëputur kontrata pak kohë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme meqë kompania “AL Dushi sh.p.k” s’e kishte respektuar kontratën dhe kishte shkaktuar vonesa të dokumentacioneve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Për më tepër, MPJD kishte kërkuar që e njëjta kompani të futej listë të zezë për t’ia pamundësuar që të marrë pjesë në procese tenderuese për një vit.

Përveç këtyre, KQZ ka vendosur që tenderin për kryerjen e shërbimeve postare t’ia japë kësaj kompanie, pavarësisht faktit se oferta që ka dhënë “AL Dushi sh.p.k është dy herë më e lartë.

Si iu dha tenderi kompanisë që MPJ kërkoi të futet në listë të zezë për shkak

MPJ ia kishte ndërprerë kontratën kompanisë “AL Dushi sh.p.k. vitin e kaluar pasi kishte dështuar t’i kryente detyrimet kontraktuale për dërgimin e postës diplomatike jashtë vendit. Për pasojë, 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi nuk kishin shkuar në destinacion.

Në vendimin e anulimit të kontratës me “AL Dushi sh.p.k. të nxjerrë nga ministria që e drejton Donika Gërvalla (më saktësisht nga Kaltrina Dalipi U.D e Divizionit të Prokurimit që ka lidhje familjare me Luan Dalipin, shef i stafit në Kabinetin e Kryeministrit Kurti), ishin theksuar vonesat në dërgimin e postës brenda afateve kohore e dëmtime të zarfeve.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës siç shkruan gazeta express, kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 250 mijë euro për shërbime postare diplomatike me kompaninë “A.L. DUSHI SH.P.K”, në qershor të vitit të kaluar.

Pronare e saj është Xhylizare Selimi-Dushi, që, siç ishte raportuar në media, është mike e Presidentes Vjosa Osmani dhe shoqe shumë e afërt me motrën e Presidentes Osmani, Blinerës.

Menjëherë pas angazhimit të kësaj kompanie e cila kishte arritur ta fitonte tenderin edhe pse ka ofruar një çmim disa herë më të lartë, në adresë të MPJ’së kishin shkuar ankesa për vonesa në transportimin e pasaportave të mërgimtarëve.

Sipas kontratës së nënshkruar, kompania kishte afat që të dorëzonte dërgesën në Evropë nga 24 deri në 48 orë nga marrja e saj.

Ndërsa për në SHBA, Kanada, Australi, Azi dhe Afrikë afati për dorëzimin e dërgesës nga marrja e saj ishte 36 deri në 72 orë.

Bashkatdhetarë që jetojnë në Gjermani, Zvicër dhe shtete tjera, ishin ankuar se pasaportat e tyre të Republikës së Kosovës, për të cilat kishin aplikuar përmes konsullatave të Kosovës në këto shtete, u ishin vonuar shumë. Si pasojë e kësaj vonese të gjatë, disa prej tyre nuk kishin pasur mundësi të udhëtonin për në Kosovë për pushime verore dhe shumicës prej tyre u ishin “djegur” edhe biletat e aeroplanit që i kishin blerë më herët, duke menduar dhe planifikuar, sipas afateve të premtuara nga po këto konsullata.

Kryediplomatja Donika Gërvalla e kishte konfirmuar para gazetarëve se ka pasur vonesa në transportimin e pasaportave të mërgimtarëve.

Gërvalla ishte arsyetuar se sa herë ndërron operatori ekonomik, fillimi është pak më i ndërlikuar.

Megjithatë kjo kompani ishte sanksionuar nga MPJ e cila i kishte kërkuar OSHP’së që ta diskualifikojë këtë operator ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim deri në një periudhë njëvjeçare.

Komento: