Votat nga diaspora/ Opozita e bindur se do t’ia marrë “Vetëvendosjes” primatin me vota në diasporë

08:08 | 27 December 2024
votat-nga-diaspora/-opozita-e-bindur-se-do-t’ia-marre-“vetevendosjes”-primatin-me-vota-ne-diaspore

Vota e diasporës tashmë kanë marrë një rëndësi të veçantë në zgjedhjet që mbahen në Kosovë, duke u bërë një faktor kyç për partitë politike që garojnë për të fituar besimin e qytetarëve jashtë vendit.

Regjistrimi i votuesve nga diaspora ka qenë një proces i rëndësishëm dhe intensiv, dhe tashmë partitë politike po e shohin këtë grup votuesish si një mundësi të madhe për të siguruar fitore

Partitë opozitare: PDK, LDK dhe koalicioni AAK-Nisma-E30+, kanë shprehur optimizëm dhe besim në mbështetje të fuqishme nga diasporën, ndonëse në zgjedhjet e vitit 2021 shumicën absolute të votave nga diaspora i kishte marrë Lëvizja “Vetëvendosje”.

LDK ka deklaruar se nga mbi 105 mijë votues të regjistruar, të tyre pritet të jenë mbi 40,000 vota nga diaspora.

Nga ana tjetër, PDK e konsideron veten fituese absolute të votës së diasporës, duke theksuar se ka realizuar një organizim të shkëlqyer dhe ka struktura të fuqishme të partisë në shumë shtete.

Koalicioni AAK-Nisma-E30+, përmes përfaqësuesve të tij, ka theksuar se do të jetë një befasi e madhe për shkak të mbështetjes që ka marrë nga diaspora, veçanërisht në shtetet si Gjermania, Zvicra dhe Italia, ku kanë ndihmën e qytetarëve të regjistruar.

 

Shala: PDK do të jetë fituese absolute e votes së diasporës

Ferat Shala, kandidat për deputet nga PDK, për FrontOnline, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës  është më e fuqishme se kurrë në lidhje me mbështetjen e diasporës.

‘’PDK-ja në votën e diasporës qëndron si asnjëherë më mirë’’, tha ai.

Ai theksoi se partia ka bërë një punë të jashtëzakonshme, duke organizuar një sistem të strukturuar dhe efikas për t’u siguruar që PDK të jetë e pranishme në shumicën e qendrave të mëdha të diasporës.

‘’ Është fituese absolute, ka bërë një punë të shkëlqyeshme, një organizim të jashtëzakonshëm e sistematik. Tashmë kemi funksionale në shumicën e qendrave të më mëdha degë e nëndegë të PDK-së për diasporë’’ u shpreh ai.

Shala vlerësoi aktivitetin e përfaqësuesve të diasporës, duke përmendur se ata tashmë janë pjesë e listave të kandidatëve të PDK-së dhe janë të njohur nga votuesit.

‘’ Aktivistët dhe përfaqësuesit e diasporës në listat kandiduese tashmë janë të njohur dhe po garojnë’’ u shpreh ai.

PDK-ja, sipas tij, pret një fitore të padiskutueshme nga votat e diasporës në këto zgjedhje.

‘’Në këtë relacion PDK-ja pret fitoren absolute nga votat e diasporës’’ u shpreh Shala.

 

 

Nimani: Koalicioni AAK-Nisma-E30+, do të jetë befasia e votës nga diaspora

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-Nisma-E30+, Artan Nimani, për FrontOnline ka thënë se ka një angazhim të fortë të koalicionit në aktivitetet para-elektorale, pasi që sipas tij ata kanë zhvilluar dhjetëra takime me qytetarë të diasporës në vende të ndryshme të Perëndimit.

‘’Gjatë aktiviteteve tona para-elektorale, koalicioni ynë ka pasur dhjetëra takime me vende të ndryshme të perëndimit’’ tha ai.

Nimani ka theksuar se personalisht ka marrë pjesë në pesë takime në Gjermani dhe Zvicër, ku çdo takim ka pasur mbi 1 mijë pjesëmarrës, të gjithë me të drejtë vote.

‘’ Unë personalisht kam qenë në pesë takime në Gjermani dhe Zvicër dhe në secilin takim kanë qenë mbi 1 mijë të pranishëm të gjithë me të drejtë vota’’ potencoi Nimani.

Ai shpreh besimin se koalicioni AAK-Nisma-E30+ do të jetë “befasia e këndshme” e këtyre zgjedhjeve, për shkak të numrit të madh të qytetarëve të regjistruar dhe raportimeve të vazhdueshme nga ata që po regjistrohen.

‘’Unë besoj se koalicioni ynë do të jetë ajo befasia e këndshme për shkak të numrit të madh që janë regjistruar deh njerëzit çdi ditë raportojnë për regjistrimin e tyre’’ deklaroi ai.

Nimani gjithashtu theksoi se koalicioni qëndron shumë mirë në Zvicër, Gjermani, dhe veçanërisht në Itali, ku ndikimi i Fatmir Limajt dhe prania e qytetarëve nga Malisheva luajnë një rol të rëndësishëm.

‘’Po ashtu në Zvicër dhe Gjermani, qëndrojna shumë mirë, veçenarisht qëndrojmë mirë edhe në Itali, për shkak të ndikimit që ka Fatmir Limaj atje dhe për shkak të qytetarëve të Malishevës që jetojnë atje’’ shtoi ai.

Ai përfundoi duke shprehur pritshmëritë për një rezultat interesant, duke theksuar se vota nga Perëndimi do të jetë një nga dhuratat më të mëdha për koalicionin.

‘’Unë pres rezultat interesant dhe një nga dhuratat e mëdha për këtë koalicion do të jetë vota nga perëndimi” përfundoi ai.

 

 

Elezi i KQZ-së: Kanë ardhur mbi 80 mijë kërkesa për regjistrim, mbi 4,700  janë refuzuar

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për FrontOnline thotë se nga 29 gushti deri më 26 dhjetor, janë aprovuar gjithsej 80,262 kërkesa për regjistrim, ndërsa 4,789 kërkesa janë refuzuar.

‘’ Në bazë të të dhënave, nga 29 gusht deri më 26 dhjetor, në orën 08:30, pas aplikimit përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org janë aprovuar 80,262 kërkesa për regjistrim, ndërsa 4,789 janë refuzuar’’ deklaroi ai.

Elezit theksoi se shumica e kërkesave të refuzuara kanë pasur probleme me dokumentacionin, ku aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht dokumentin e identifikimit.

‘’ Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së’’ deklaroi ai.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, nga 80,262 aplikime të aprovuara, 17,523 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 12,655 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 50,084 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.

‘’ Nga 80,262 aplikime të aprovuara, 17,523 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 12,655 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 50,084 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës’’ tha Elezi për FrontOnline.

 

Komento: