Votojnë banorët e Shtëpisë së Pleqve

13:16 | 14 Shkurt 2021

Kanë votuar edhe banorët e Shtëpisë së Pleqve.

Të drejtën e tyre për të votuar sot e kanë shfrytëzuar edhe banorët e Shtëpisë së Moshuarve në Prishtinë.

Ekipi mobil i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) po qëndron në këtë institucion që nga mëngjesi në mënyrë që t’iu jepet mundësia edhe këtyre banorëve që të votojnë.

Në shtëpinë e të moshuarve ndodhej edhe ushtruesi i detyrës së shefit të Shërbimit Social, Bahtije Ismaili, e cila tha se procesi i votimit në këtë institucion po shkon sipas të gjitha rregullave antiCOVID.

Ajo tha se aty do të votojnë 39 banorë, aq sa edhe ishin në listën e certifikuar.

“Situata ka qenë shumë e mirë, shumë e qetë. Të drejtë vote kanë pasur 39 persona, në përjashtim dy ose tri që s’kanë dashur me votu. Të tjerët kanë votu krejt. Gjendja ka qenë e mirë. Ekipet mobile janë ende në institucion dhe gjithçka po shkon me rregull”, tha ajo për KP.

Ismaili thotë se pandemia e ka vështirësuar procesin e votimit, porse përkundër kësaj gjithçka po shkon sipas rregullave.

“Pandemia e ka vështirësu (procesin zgjedhor) por për momentin të gjithë janë negativ, gjendja është e qetë, është stabile. Për këtë arsye po e bëjmë maksimumin… vetëm të jenë ata mirë”, u shpreh ajo.Në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë kanë të drejt vote 39 persona, ku për t’iu dhënë mundësinë e ushtrimit të kësaj të drejte aty po qëndron ekipi mobil i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Komento: