Vrasja e 35 vjeçares para QKUK-së, Ministria e Drejtësisë vjen me këtë njoftim

21:18 | 05 Dhjetor 2022

Ministria e Drejtësisë është në pritje të raporteve të tjera për rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare te QKUK’ja

Masa ndëshkuese ndaj të gjithë zyrtarëve që nuk kanë bërë punën e tyre, në rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare, H.M, ka paralajmëruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se janë në pritje të raporteve nga inspektorati shëndetësor e nga inspektimi i qendrave për punë sociale për të vepruar tutje. Kurti listoi edhe njëherë kritikat për sistemin e drejtësisë, derisa Haxhiu bojkotin që po bëjnë KGJK-ja me KPK-në, e krahasoi me bojkotin e Listës Serbe

Në pritje të dy raporteve të tjera që kanë të bëjnë me trajtimin e rastit të H.M e vrarë ditë më parë, është Ministria e Drejtësisë. Ministrja Albulena Haxhiu tha se janë në pritje të raporteve nga Inspektorati Shëndetësor, e të qendrave për punë sociale, për të vepruar më tutje.

Ministrja Albulena Haxhiu edhe njëherë tha se të gjithë ata që kanë neglizhuar këtë rast do vihen para përgjegjësisë.

“U zotova në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emër të MD-së, dhe në emër timin personal se nuk do të lëmë gurë pa lëvizur derisa secili person përgjegjës që nuk ka kryer detyrat në përputhje me përgjegjësit të marr dënimin e merituar jo vetëm, sa i përket masave disiplinore ndaj tyre, por edhe përgjegjësisë penale”, ka deklaruar Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk kanë kthyer përgjigje nëse kanë pranuar raportin e IPK-së, për 4 zyrtarët policor të suspenduar për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare e falsifikim të dokumentit, në rastin e urdhër mbrojtjes ndaj Hamide Magashit, para se të vritej.

Haxhiu kritikoi edhe mungesën e Këshillit Gjyqësor e Prokurorial në takimet ku u fol për veprimet e institucioneve që ndërlidhen me vrasjen e 35 vjeçares shtatzënë.

“Për keqardhje qasja e tyre ka qenë jashtëzakonisht e papranueshme, e paprecedent sepse ne kemi parë që vetëm lista serbe e bojkoton shtetin, e përmendi edhe Presidentja Osmani në një paraqitje para pak ditëve dhe nuk kemi menduar asnjëherë që institucionet e drejtësisë e bojkotojnë shtetin, madje edhe në një situatë jashtëzakonisht të rëndë kur të gjithë do duhej te ishin gjithë bashkë”, ka shtuar Haxhiu.

Për veprimet e mëtutjeshme në rastin e vrasjes që tronditi të gjithë, nuk gjeti kohë të flasë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Por, në adresimin e tij në lansimin e protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, ai pati kritika për sistemin e drejtësisë.

“Nuk mund të lejohen papërgjegjësi të tilla, ku institucionet i hedhin fajin njëra-tjetrës për mosveprim dhe gjithashtu shmangin përgjegjësitë apo neglizhojnë thirrjet e viktimave të dhunës, kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Shpeshherë në rastet e paraqitura, institucionet nuk i kanë kryer e nuk i kanë zbatuar obligimet ligjore, duke i lënë viktimat pa trajtimin që u takon dhe që ato e meritojnë. E po ashtu në raste të këtilla, dhunuesit dhe abuzuesit nuk e kanë marrë dënimin e merituar”, ka theksuar Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.

Protokolli shtetëror i lansuar nga Ministria e Drejtësisë, ka për qëllim zbatimin e të gjitha detyrimeve të parashikuara ligjërisht për mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale.

Gjatë fushatës sensibilizuse, që është duke e realizuar Ministria e Drejtësisë, për parandalimin e rasteve të dhunës në baza gjinore, janë vrarë dy gra nga bashkëshortët e tyre./RTV Dukagjini

Komento: