Vrasja e 41-vjeçarit në Fushë Kosovë, kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit

09:07 | 14 Shkurt 2023

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj A.M., dhe L.B., të dy nga 26 vjeç, të dyshuar për vrasjen e 41-vjeçarit Arsim Hamiti të dielën në Fushë Kosovë.

Këtë informacion e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, për shkak të veprës penale “Vrasja”, pranë Gjykatës kompetente”, tha Ulaj për Express.

Viktima është privuar nga jeta me thikë në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë.

Thika që dyshohet se është përdorë në këtë rast është sekuestruar.

Të hënën Shefqet Hasimi, avokati i L.B., i dyshuar për vrasjen e 41-vjeçarit Arsim Hamiti ka treguar versionin e 26-vjeçarit se çfarë tha ai në stacionin policor për vrasjen. Sipas të dyshuarit L.B., ai dhe shoku i tij A.M., nuk janë njohur më parë me viktimën.

Sipas avokatit, i dyshuari ka deklaruar në stacionin policor se viktima kishte tentuar ta hapte në parking veturën e tij të marrë me qera dhe sipas tij, kur e ka parë këtë ngjarje e ka thirrë shokun e tij dhe e kanë takuar viktimën ku pas përleshjes fizike ngjarja ka përfunduar me vrasjen e 41-vjeçarit.

“Sipas deklarimit të tij ky e ka marrë një veturë me qera edhe e ka lënë në parking ka thënë e kam pa një person duke tentuar me hap derën edhe ka ikë nga vendi i ngjarjes, ky e ka thirrë shokun e tij, hajde se kam problem me njërin, ai prej Orlloviqit ka ardhë shpejt e shpejt janë bë bashkë, qysh ka deklaru e kanë pritë rreth 20 minuta derisa u dalë në një rrugë, ju kanë lëshu me një veturë, janë fjalos janë grushtu, edhe ai (shoku i tij) e ka nxjerr thikën e ka mbyt në vend. Ai qysh tha sjemi njoftë më herët, rastësisht ka ndodhë. Ashtu është deklaru”, tha avokati Hasimi për Express.

Komento: