Vrasja e 80 vjeçares në Prizren, Prokuroria del me detaje: Burri dyshohet se privoi nga jeta duke ushtruar dhunë fizike

14:15 | 26 Gusht 2026

Një grua 80 vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj në Prizren, në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

Prokuroria Themelore në Prizren ka dalë me detaje për rastin.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnate dhe dyshohet se është kryer brenda familjes.

Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

Prokuroria bën të ditur se bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari B.D. dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij duke ushtruar dhunë fizike.

Me vendim të prokurorit të shtetit, B.D. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.

Komento: