Vrasja e biznesmenit në Elbasan, Gjykata lë në burg të arrestuarin e tretë

15:56 | 06 Dhjetor 2025
Vrasja e biznesmenit në Elbasan, Gjykata lë në burg të arrestuarin e tretë

Gjykata e Elbasanit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Nevzat Spahon. Pas shqyrtimit të akteve të dosjes dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari Elis Dine pranoi kërkesën e prokurorit Gjergji Ceka, duke vlerësuar ndalimin si të ligjshëm.

Mbrojtja dhe i hetuari kërkuan një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se arrestimi ishte i pabazuar, por gjykata i rrëzoi këto pretendime. Sipas vendimit, provat e deritanishme konsiderohen të mjaftueshme për vazhdimin e qëndrimit të tij në qeli, raporton Euronews.al.

Dje Gjykata e Elbasanit vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Xhino Ago i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit dhe për rojën e karburantit në pronësi të viktimës.

Në kërkim lidhur me këtë ngjarje është shpallur Marselo Arani 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe Armando Kola 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Marselo Arani është arrestuar më herët nën akuzën për pastrim parash, ndërsa iu sekuestruan pasuri me vlerë 136 mijë euro.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xhino Agos i cili ia ka dhënë me hua shtetasit Marselo Aranit.

Shkak i vrasjes dyshohet të jetë prishja e pazareve mes dy ortakëve, ndërsa grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje

Komento: