Vrasja e shtatzënës 35-vjeçare te QKUK’ja, Abdixhiku: Dorëheqje dhe shkarkim të secilit përgjegjës

21:41 | 01 December 2022

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkim të secilit përgjegjës, për rastin e shtatzënës 35-vjeçare që u vra mbrëmë në oborrin e QKUK’së.

Abdixhiku i ka quajtur skandaloze reagimet e Kryeministrit Albin Kurti për rastin, duke thënë se iu deshtën 24 orë dhe presion publik, për të thirrur në përgjegjësi gjithë zingjirin përgjegjës.

“Kryeministrit të vendit iu deshën njëzet e katër orë – dhe gjithë presioni publik mbi reagimet skandaloze të tij – për të kuptuar se për çfarë është aty. Njëzet e katër orë për të thirrur në përgjegjësi gjithë zinxhirin përgjegjës. Koha për të reaguar ka kaluar. Tani t’i mbajë përgjegjës secilin, dhe njerëzit e tij”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, i dyshuar për vrasje është ish-bashkëshorti i saj, i cili ende ndodhet në arrati.

Postimi i plotë:

Në vend të fjalëve e reagimeve poetike, qytetarët kërkojnë përgjegjësi e veprim. Fillimisht dorëheqje dhe shkarkim të secilit përgjegjës në çdo segment të dështuar të shtetit; më pas luftim të dukurisë së dhunës ndaj gruas në rrënjë.

Kjo ishte kërkesa e qytetarëve të Suharekës në takimin e përbashkët që patëm sonte në kuadër të ‘LDK ju dëgjon’.

Kryeministrit të vendit iu deshën njëzet e katër orë – dhe gjithë presioni publik mbi reagimet skandaloze të tij – për të kuptuar se për çfarë është aty. Njëzet e katër orë për të thirrur në përgjegjësi gjithë zinxhirin përgjegjës. Koha për të reaguar ka kaluar. Tani t’i mbajë përgjegjës secilin, dhe njerëzit e tij.

Komento: