Vrasja e shtatzënës, IPK rekomandon suspendimin e Komandantit të Policisë në Lipjan dhe tre zyrtarëve tjerë

14:23 | 03 December 2022

IPK rekomandon suspendimin e Komandantit të Policisë në Lipjan dhe tre zyrtarëve tjerë që kishin trajtuar rastet e Sokol Halilit.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e Komandantit të Stacionit policor të Lipjanit, një rreshteri dhe dy hetuesve, të cilët kishin trajtur rastet ndaj Sokol Halilit, i cili të mërkurën vrau shtatzënë 35-vjeçare në oborrin e QKUK’së. Halili s’ka pranuar të dorëzohet në Polici dhe ka kryer vetëvrasje dje.

Ata dyshohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur H.M .

Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “.

Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues) .

Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë.

Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë it me Prokurorinë e Shtetit.

Komento: