Vrasja në Arbanë të Prizrenit/ Një muaj paraburgim për të dyshuarin

13:43 | 06 Shtator 2023
vrasja-ne-arbane-te-prizrenit/-nje-muaj-paraburgim-per-te-dyshuarin

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit me inicialet A/G., për shkak të dyshimit për vrasjen në Arbanë të Prizrenit.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

Njoftimi i plotë:

Caktohet masa e paraburgimit ndaj një (1) të pandehuri, për shkak tëdyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje e Rëndë dhe Mbajtja në pronësi,kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve

Prizren, 06 shtator 2023– Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti iKrimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën eparaburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 04.09.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 04.10.2023, ndaj të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat – Vrasja e Rëndë nga neni 173 par.1 (Me dënim jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili) pika 1.5 (privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave tjerë), dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Me datë 2 shtator rreth orës 18:45 minuta, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, i pandehuri A.G., privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, në atë mënyrë që pas një zënke të çasti që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të pandehurit dhe viktimës, i pandehuri A.G., me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e sheh viktimën B.M., i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarat (bashkëshortja e viktimës, dhe vajza tetë vjeçare e viktimës), dhe të dëmtuarit R.M. dhe H.Sh., ashtu që i pandehuri A.G., u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-……. zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës B.M., me ç’ rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’ rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, përderisa të dëmtuarat (bashkëshortja dhe bajza e viktimës), gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës, ndërsa të dëmtuarit R.M., dhe H.Sh., arrijnë të fshihen, më pastaj i pandehuri A.G., hip në automjetin e tij, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, deri në ditën e arrestimi me datë04.09.2023,

Deri me datë 4 shtator 2023, në shtëpinë e tij, në lagjen “Arbana”, i pandehuri A.G., , në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, mban në pronësi dhe në kontroll pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-……., së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta B.M., e të cilën armë policia e ka gjetur, gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë Komuna. e Malishevës.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje i pandehuri, të dëmtarit dhe dëshmitarët eventual, dhe me lënien në liri të të pandehurve ekziston i posaçëm se i pandehuri do të pengojë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojë në dëshmitarë apo tek të dëmtuarit, me të cilët kanë jetuar në fqinjësi deri në ditën kritike.

Andaj është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm.

Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri, ekzistojnë rrethana që tregojnë se me lënien në liri të tij, është rreziku i arratisjes, pasi që edhe pas kryerjes së veprës penale i njëjti i është shmangur institucioneve të drejtësisë deri në arrestimin e tij.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurin A.G., në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm.

 

Komento: