Viktimat e masakrës së Fushë Krujës, Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, e pikasën makinën që ditën e ngjarjes i kishte ndjekur gjatë lëvizjeve të tyre.
Këtë shqetësim ia ka shprehur familjarëve të tij Diklen Vata. Në dëshminë dhënë para hetuesve, motra dhe nëna e tij deklaruan se i kishte marrë në telefon dhe u kishte thënë se dikush po i ndiqte, por asgjë nuk bënë për të parandalur ngjarjen e rëndë.
Burime pranë policisë i thanë Report Tv se personat e dyshuar nga zona e Niklës që mund të kenë dijeni për ngjarjen nuk janë brenda vendit. Përmes sistemit TIMS është e provuar se ata janë larguar rreth një javë më parë në mënyrë legale nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Hetuesit ndërkohë kanë zbardhur në mënyrë të plotë lëvizjet që tre të rinjtë kanë kryer në ditën e atentatit. Referuar pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë, Martinaj, Vata dhe Hoxha, fillimisht kanë konsumuar një kafe në zonën e Rinasit dhe nga aty janë nisur me makinë në drejtim të Fushë Krujës. Disa dhjetëra metra pa arritur tek mbikalimi ku do të ndodhte masakra, ata ndaluan pranë një restoranti të njohur në zonë. Aty kanë parkuar makinën e tyre dhe kjo vërtetohet përmes pamjeve të kamerave të restorantit. Të tre djemtë janë larguar me një tjetër automjet, kësaj radhe me makinën e një mikut të tyre. Ai i ka dërguar në Kamëz në një servis makinash, ku ata kishin lënë për t’u rregulluar një tjetër mjet. Aty qëndruan pak pasi makina akoma nuk ishte në dispozicion për t’u marrë. Miku i tyre i ka kthyer sërish në të njëjtin restorant pranë mbikalimit të Fushë Krujës ku kishin parkuar makinën më herët. Morën në parking mjetin tip Volksëagen Passat dhe u nisën drejt Laçit. Sapo makina u ngjit në mbikalim në drejtim të tyre u qëllua më breshëri kallashnikovi. Si pasojë e të shtënave mbetën të vdekur të tre. Diklen Vata doli i plagosur nga makina, por njëri nga agresorët u kthye sërish dhe e qëlloi për vdekje. Brilant Martinaj e Besmir Hoxha u shkrumbuan brenda në mjet, i cili u dogj si pasojë e breshërisë së të shtënave. Bashkë me ta u shkrumbuan edhe aparatet celular, të cilët mund të kishin ndihmuar në hetime.
12 orë pas vrasjes që shokoi opinionin publik, në Ahmetaq në rrugë kryesore policia gjeti duke u djegur një automjet, i cili rezultoi të ishte pa targa dhe i të njëjtës markë si ai që dogjën autorët në Larushkë, pas masakrës. Dyshimet e para të hetuesve janë se i përket të njëtëve autorë, dhe po verifikohet nëse është përdorur për të humbur gjumrë apo si karrem për të fokusuar ngjarjen në disa drejtime.
Askush nuk është i dyshuar si autor deri tani. Në vendngjarje ekspertët e kriminalistikës gjetën rreth 60 gëzhoja të cilat janë dërguar tashmë në laboratorin e Policisë Shkencore.
Në automjetin e djegur në Larushkë gjithçka është shkrumbuar, ndërsa armët e gjetura nuk pritet të ndihmojnë në hetime për shkak të zjarrit. Hetuesit janë të binduar se kemi të bëjmë me qitës profesionistë, ndërsa pista kryesore e hetimeve është ajo e përplasjeve të grupeve kriminale.