Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas vrasjes së mbrëmshme të policit Muhamed Lika në Kaçanik.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku thotë se çdo ditë mëngjesi po zbardh me lajme tronditëse, dhunë, krim e vrasje
Tutje, ajo thotë se jeta e qytetarëve po shuhen një nga një, në rrugë, në shtëpi, në vendin e punës, e sipas saj askush nuk po mban përgjegjësi.
“Mbrëmë, në një akt që trondit thellë ndërgjegjen e çdo qytetari, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra në hyrje të shtëpisë së tij. Një njeri i uniformës, simbol i rendit dhe sigurisë, u bë viktimë në vendin që duhej ta kishte më të shenjtë: në prag të shtëpisë së tij”, shkruan tutje Çitaku.
Ndër të tjera, ajo thotë se ky akt nuk është më thjesht mungesë rendi, por është alarm kombëtar.
“Institucionet janë të heshtura. Qeveria është e paralizuar. Krimi është i lirë, qytetari është i pambrojtur. Shteti po dështon para syve tanë çdo ditë, çdo orë. Dhe çdo ditë që kalon pa përgjegjësi, pa veprim, është ftesë për më shumë dhunë, për më shumë vrasje, për më shumë pasiguri. Nuk ka më kohë për deklarata boshe. Duhet veprim. Duhet përgjegjësi. Duhet të rikthehet shteti. Përndryshe, shumë shpejt, askush nuk do të ndihet i sigurt askund”, deklaroi ajo.