Një shqiptar ka mbetur i vrarë në shtetin belg.
Bledar Muça ka mbetur i vrarë në një atentat në Belgjikë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme. 39-vjeçari është qëlluar në një autostradë publike në Antwerp, ndërsa ka ndërruar jetë në vend.
Mediat belge kanë publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa janë vënë në kërkim të autorëve.
Kush është Bledar Muça?
Bledar Muça është emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihet për lidhjet e tij të ngushta me fisin Çapja në Elbasan dhe konsiderohet si krahu i djathtë i Ardjan dhë Florenc Çapjas.
Për herë të fundit në Shqipëri ai është arrestuar në maj të vitit 2020, pasi aksidentoi një polic burgu.
Sakaq, në vitin 2016 ndaj tij janë bërë dy atentate. Njëri në shkurt 2016, kurse tjetri në korrik të të njëjtit vit. Në atë të korrikut ai ishte objektiv bashkë me Florenc Çapjan. Muça u plagos nga ai atentat, kurse Florenc Çapja nuk pësoi asgjë. Për atë atentat, policia shpalli në kërkim dhe arrestoi më vonë Shkëlzen Hasanpapajn.
Muça dyshohet se është përfshirë në shumë ngjarje të rënda në Elbasan, por ka mundur t’ia hedhë drejtësisë. Në verën e vitit 2016 ai u arrestua dhe u dënua me dy vite burg pasi qëlloi me armë ndaj efektivëve të policisë teksa ishin në vëzhgim të familjes Çapja pas atentatit të shkurtit. Muça u filmua nga kamerat e sigurisë me armë në dorë duke qëlluar ndaj policisë.
Emri i tij është i përfshirë edhe në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në qytetin e Elbasanit, por që asnjëherë nuk iu provuan nga policia dhe nga prokuroria. Madje emri i tij u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për vrasjen dy vite më vonë, të vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë që njihej me pseudonimin “Doda”.