Vuçiq e Dodik flasin për paqe e stabiltet në rajon

19:46 | 15 Prill 2022

Vuçiq dhe Dodik, janë takuar sot.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot në Beograd kryetarin e Republikës Serbe dhe anëtarin serb të

Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Milorad Dodik, ku kanë biseduar për çështje të rëndësishme dhe peshën e pozitës në të cilën gjendet sot populli serb.

Presidenti serb, Vuçiq ka njoftuar se në takimin e sotëm me Dodikun, ndaj të cilit Departamenti amerikan i Thesarit janarin e këtij viti ka vendosur sanksione për vepra korruptive, kanë biseduar çështje të rëndësishme.

“Lidhjet midis Republikës së Serbisë dhe Republikës Srpska nuk kanë qenë kurrë më të forta dhe askush nuk do të mund t’i prishë ato. Diskutuam për të gjitha çështjet e rëndësishme, kuptuam peshën e pozitës në të cilën gjendet sot populli serb dhe ramë dakord për mbështetjen e Serbisë për Republikën Serb, në aspektin ekonomik dhe në sfera të tjera. Paqja dhe stabiliteti në rajon janë interesa thelbësore të Serbisë dhe Republikës Serbe, si dhe qëndrimi unik për çështje të rëndësishme politike për Ballkanin Perëndimor, por edhe për Evropën”, ka thënë Vuçiq, transmeton Telegrafi.

Sipas njoftimit nga presidenca serbe, Dodik i ka thënë presidentit Vuçiq se mbi të dhe Republikën Serbe po bëhet presion i madh për situatën e brendshme politike në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa Presidenti Vuçiq tha se Serbia nuk do dhe nuk mund të pranojë zbatimin e kompetencave të Bonit, as vendosjen e sanksioneve ndaj Republikës Serbe. Prandaj do të punojë për të ndihmuar më tej popullin e Republikës Serbe, duke respektuar integritetin e saj brenda Bosnjës e Hercegovinës.

Vuçiq dhe Dodik janë pajtuar që pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë, seanca e parë e përbashkët të mbahet në Banja Llukë.

Komento: