Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka folur së fundi për shtyerjen e Samitit të Parisit dhe për përfshirjen e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.
Vuçiq, dështimin e Samitit të Parisit e ka quajtur një situatë të vështirë për të gjithë, transmeton lajmi.
Sipas tij, kjo nuk është humbje as e Francës e as Gjermanisë.
“Shtyrja e takimit në Paris nuk është disfatë e Gjermanisë dhe e Francës, por është situatë e vështirë për të gjithë, sepse shqiptarët e Kosovës e dinë se Serbia tashmë i ka kohët e veta më të mira dhe dëshiron të përparojë edhe më shumë dhe për këtë gjë është i nevojshëm stabiliteti politik”, ka thënë Vuçiq.
Siç ka deklaruar ai, shqiptarët e Kosovës po duan ta shfrytëzojnë këtë situatë.
Vuçiq është pyetur edhe nëse shtyerja e Samitit të Parisit është sinjal se SHBA-të duhet të përfshihen në dialogun Kosovë- Serbi.
Lidhur me këtë ai ka thënë se është e pamundur që të gjithë ata që e duan rolin kryesor në këtë proces të jenë përkrahës të pavarësisë së Kosovës.
“Shqiptarët e Kosovës po flasin gjepura, ndërsa Haradinaj e ka filluar ndjekjen kundër serbëve për shkak se për Serbinë po vijnë ditë më të mira”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Sipas Vuçiq, Serbia i ngutet në këtë proces sepse shteti i tij po përparon shpejt, dhe se siç thotë ai nuk do të përulet para askujt që do t’i asgjësojë interesat kombëtare për serbët.
“Serbisë i mbetet ta kërkojë zgjidhjen me kompromis , ndërsa për sa i përket njohjes së Kosovës- edhe po t’i sjellin 350 milionë amerikanët, ajo nuk mund të zgjidhet”, tha ai.
Siç u shpreh Vuçiq, amerikanët e dinë një gjë të tillë dhe kjo është arsyeja se pse ata e dëshirojnë dialogun.
Kujtojmë, se Samiti i Parisit i planifikuar të mbahej më 1 korrik është shtyer përfundimisht.
Ndonëse nuk ka ndonjë arsye zyrtare për këtë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për veprime të pamenduara të cilat sipas tij i kanë kthyer prapa proceset shumë të rëndësishme.