Vuçiq i frikësohet takimit në Berlin: Do të jenë vetëm vendet që e kanë njohur Kosovën

16:32 | 27 April 2019

Vuçiq tha se aty do të jenë vetëm vendet të cilat e kanë njohur Kosovën.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka folur edhe një herë për takimin e 29 prillit që do të mbahet në Berlin, ku të pranishëm do të jenë edhe krerët kosovarë.

Vuçiq shpreson se presidenti francez, Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel do të gjejnë një qasje të balancuar në lidhje me marrëveshjen Kosovë- Serbi, raporton lajmi.

E shqetësimi i presidentit serb në lidhje me Samitin e Berlinit është se siç thotë ai, aty do të jenë vetëm vendet të cilat e kanë njohur Kosovën.

“Në Berlin nuk do të jetë askush që nuk e ka njohur Kosovën, përveç Bosnjës e Hercegovinës, por edhe ai që do ta përfaqësojë do ta bënte atë [pranonte pavarësinë e Kosovës], por serbët nuk lejojnë”, tha presidenti serb.

Sipas tij, delegacioni serb është i vetmi që do ta kundërshtojë idenë për Kosovën e pavarur, dhe se sipas tij pozicioni i Serbisë në këtë rast nuk është i lehtë.

Megjithat, ai thotë se shpreson se Merkel e Macron, duke marrë parasysh karakterin e tyre, do të gjejnë një ekuilibër për çështjen e Kosovës.

“Delegacioni ynë do të jetë i vetmi atje që e kundërshton idenë për Kosovën e pavarur. Pozicioni ynë nuk është i lehtë, por sa i përket fjalëve se do të bëhet presion mbi neve në mënyrë që Serbia të bëjë ndonjë lëshim, këtë film nuk do ta shohin’, tha Vuçiq.

E në lidhje me Samitin e Berlinit, presidenti Thaçi tha ditë më parë se nuk pritet shfaqja e ndonjë propozimi për marrëveshjen finale me Serbinë.

Në një vijë me presidentin Thaçi është edhe kryeministri Haradinaj, i cili dje pas mbledhjes së Qeverisë tha se takimi i të hënës është takim multilateral dhe si i tillë, nuk pritet marrëveshje mes palëve.

Komento: