Vuçiq ka thënë se kanë arritur të fusin mallra serbe në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në një konferencë për media sot ka thënë se Serbia ka qenë në gjendje të fusë mallra në pjesën veriore të Kosovës.
“Ditëve të fundit kemi arritur të fusim mall në Kosovë, dhe shpresojmë që ditëve në vijim këtë ta bëjmë edhe në sasi më të mëdha që t’i furnizojmë shitoret”.
Madje, në deklaratën e tij Vuçiq tërthorazi ka përmendur edhe rrugët ajrore.
“Pra, diçka ka ardhur nga qielli”, ka thënë ai në një rast.
“Qielli është i çuditshëm. Gjithçka mund të bie nga qielli” ka përsëritur edhe një herë më vonë para gazetarëve.
Por, mundësia e sjelljes së mallërave nga ajri, u mohua nga KFOR-i, misioni i cili kontrollon hapësirën e ulët ajrore në territorin e Kosovës.
Zëdhënësi i KFOR-it Vincenzo Grasso, në një prononcim për klankosova deklaroi se asgjë nuk mund të fluturojë në atë zonë pa dijeninë e KFOR-it.
“Nuk mund të ketë fluturim në pjesën veriore të Kosovës pa autorizimin e KFOR-it dhe KFOR-i nuk është në dijeni për ndonjë fluturim të kryer në ditët e kaluara. Sa i përket KFOR-it, nuk është raportuar ndonjë lëvizje e jashtëzakonshme në atë pjesë të Kosovës”, dekaroi Grasso.
Shtim të mallrave nga Serbia në Kosovë nuk ka pasur as përmes pikëkalimeve kufitare.
Një gjë e tillë është mohuar nga Dogana e Kosovës, e cila theksoi se nuk ka pasur ndryshime në fluksin e mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë.
Kujtojmë që javën që shkoi dyqanet në veri të Kosovës u mbyllën për dy ditë, në një përpjekje për të inicuar një krizë humanitare.