Pas dorëhejqes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit, sot ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka deklaruar se Beogradi i pret pa ndonjë eufori zhvillimet në Prishtinë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.
Gjatë një konference për media të mbajtur në Beograd, Vuçiq tha se i kupton edhe pritjet e njerëzve për vendosjen e drejtësisë për atë që ka ndodhur në territorin e ish-Jugosllavisë.
“E kuptojmë, jo gëzimin, por njëfarë kënaqësie te pjesëtarët e popullit tonë për shkak të ftesës dërguar Haradinajt për intervistë dhe faktin që ai është i dyshuar për kr ime lufte”, tha Vuçiq, duke shtuar se nuk ka vend për eufori.
Dorëheqja e Haradinajt, sipas presidentit serb është një veprim politik për të fituar edhe më shumë popullaritet në mesin e, siç tha ai, “ekstremistëve në Kosovë” duke u promovuar si trim që lufton për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.
Presidenti serb ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara në Hagë të formuara për të iniciuar rastet e dyshuara për krime lufte, funksionojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, të cilën Serbia nuk e njeh.
Haradinaj, theksoi Vuçiq, do të shkojë në Hagë javën e ardhshme, do të qëndrojë atje një apo dy ditë dhe do të provojë “të kthehet si hero”, marrë parasysh faktin se Kosova, sipas Vuçiqit do të shkojë në zgjedhje në shtator apo në tetor.
E gjithë kjo sipas tij, mund të jetë një skenar që në Kosovë të vijë në pushtet një elitë politike që angazhohet për një “Shqipëri të madhe”.
Në këtë konferencë, Vuçiq tha se Serbia megjithatë, vazhdon të mbetet e përkushtuar “për vazhdimin e dialogut me Prishtinën”.