Vuçiq kundërshton vendimin e Apelit për dënimin e Todosijeviqit: Ai e tha të vërtetën për Reçakun

19:15 | 25 Gusht 2021

Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk i ka pëlqyer vendimi i Gjykatës së Apelit në Kosovë, e cila ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burg efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Të njëjtin dënim, dje Gjykata e Apelit në Prishtinë ia vërtetoi – dy vite burgim.

Me këtë vendim nuk është pajtuar as presidenti i Serbisë, Vuçiq.

Presidenti serb tha se deklarimet e Todosijeviq kanë qenë të vërteta mbi Reçakun.

“Një serb nga veriu i Kosovës, Ivan Todosijeviq, u dënua me dy vjet burg me një vendim përfundimtar vetëm sepse tha të vërtetën. E vërteta për Raçakun, e vërteta për gjithçka që i ndodhi popullit serb”, thotë Vuçiq në videon e postuar në profilin e tij në Instagram, raportojnë mediat serbe, transmeton Telegrafi.

“Është shkelur rëndë dhe brutalisht e drejta e drejta për shprehje të lirë dhe për një gjykim të drejtë, të cilin e nënshkruam me shqiptarët dhe BE -në në Bruksel. Unë i bëj thirrje evropianëve, Bashkimit Evropian, të ftojnë shqiptarët në Prishtinë dhe t’u thonë atyre se ata duhet t’i përmbahen asaj që kanë nënshkruar dhe pranuar”, vuri në dukje Vuçiq.

Ndërkohë, sot gjyqtarët dhe personeli tjetër administrativ nga etniteti serb nuk dolën fare në punë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë të Veriut.

Siç u raportua nga mediat lokale, ata nuk u pajtuan me vendimin e Apelit mbi dënimin e Ivan Todosijeviq.

Komento: