Ramush Haradinaj do të takohet sot në Berlin me kancelaren Angela Merkel.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka mbështetur sërish idenë e korrigjimit të kufijve me Kosovën derisa ka folur edhe për takimin e sotëm Ramush Haradinaj – Angela Merkel.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se korrigjimi i kufijve me Kosovën është “gjëja më e shëndetshme për Serbinë dhe serbët”.
Ai gjatë emisionit të mëngjesit në “TV Prva” ka thënë se do të bëhet një referendum për këtë temë, nëse kërkohet prej tij edhe pse tani për tani nuk është vënë si propozim.
“Unë jam mbështes i korrigjimit të kufijve dhe nuk fshihem prej kësaj, por serbët janë kundër tij dhe unë e kam marrë mesazhin e popullit. Ne nuk jemi të gatshëm ta dëgjojmë të vërtetën rreth Kosovës, edhe kur të gjithë e dijnë. Nuk do ta pranojnë njerëzit sepse kjo prek emocionet e tyre”, deklaroi Vuçiq, transmeton lajmi. net.
Ai po ashtu ka komentuar edhe takimin e sotëm mes Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
“Haradinaj do të mundohet sot të ofrojë diçka tjetër në mënyrë që të heq nga rendi i ditës taksën, që ta bind Serbinë ta pranojë dhe të shfaqet në Paris”, tha ai.
“Dëshironi të thoni se në çdo shembull unë jam fajtor? A nuk ka qenë gjithmonë kështu? Çfarë duhet të bëj tash? A keni ndonjë zgjidhje? Unë nuk kam. Unë kam zgjidhje të sillem në interesin më të mirë të popullit dhe shtetit tonë”, theksoi Vuçiq.
Ai ka pranuar se Serbia gjendet në pozitë të vështirë para Samitit të Parisit.
“Cila është tema për të cilën do të bisedohet? Them se jemi në pozitën më të vështirë, por pyetem se çfarë mund të bëjmë. Nuk jam çudibërës, jam vetëm president i vendit. Çfarë dëshironi ju që të bëj unë? Më thuani, propozoni”, tha ai.