Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Vuçiq pretendon se sipas Rezolutës 1244, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.
Në një konferencë për media, presidenti serb ka thënë se më 10 dhjetor është arritur pajtueshmëri për tekstin e kërkesës dhe se vendimi i Qeverisë do të merret “të hënën ose të martën”.
“Ne u dakorduam sot për tekstin që t’i dërgojmë një kërkesë komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244 për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës, dhe vendimi i Qeverisë [për këtë çështje] do të merret të hënën ose të martën”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Paralajmërime të ngjashme për dërgimin e trupave në Kosovë kanë bërë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Këto paralajmërime vijnë në kohën kur në veri të Kosovës janë rritur tensionet, me serbët lokalë që kanë ngritur barrikada dhe me Policinë e Kosovës që ka shtuar praninë e saj në këtë pjesë të shtetit. /REL