Vuçiq paralajmëron se s’ka marrëveshje nëse shqiptarët fitojnë gjithçka e Serbia asgjë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se është i ndërgjegjshëm që nuk do të ndryshojë qëndrimin amerikan në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por Beogradi kërkon një kompromis i cili nënkupton se shqiptarët nuk mund t’i fitojnë të gjitha e Serbia asgjë.
Ai u takua të martën me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe të mërkurën me zotin Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, të cilëve u ka shprehur gatishmërinë e tij për rifillimin e bisedimeve me Prishtinën pas heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe.
Vuçiq tha në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se shpreson që Shtetet e Bashkuara të shtojnë trysninë mbi Kosovën për këtë çështje, ndonëse nuk pret rifillim bisedimesh para dhjetorit, meqë Kosova pritet të mbaj zgjedhjet e parakohshme.
“Amerika në vitin 2008 e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Të gjitha vendet e fuqishme perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe 2009. A mendoni që vërtetë, ndonëse Serbia sot është në gjendje më të mirë ekonomike, në pikëpamje ushtarake e politike është më e fuqishme dhe ka më shumë respekt në botë sesa që kishte, vërtetë mendoni se jemi në gjendje të ndryshojmë vendimin e Shteteve të Bashkuara”?
Por, kjo tha ai, nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. “Mund të bisedojmë për çdo gjë nëse bëhet fjalë për kompromis. Por, për atë që shqiptarët të fitojnë gjithçka e Serbia asgjë – nuk mund ta keni nënshkrimin tim kurrë”, tha presidenti serb, duke theksuar se amerikanët sërish i kanë thënë hapur se duan “njohje të ndërsjellë”.
Ai tha se për këtë arsye ka propozuar zgjidhje kompromisi dhe për këtë ka diskutuar sërish me zyrtarët amerikanë duke përfshirë shumë “modalitete”.
“Por, duhet të kuptojmë që ëndrrat tona boshe nuk kanë lidhje me realitetin”, tha ai, duke nënvizuar se “çdo luftë, çdo konflikt, çdo përulje do të ishte katastrofë për Serbinë”.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.
Aktualisht Kosova ka një qeveri në dorëheqje, pasi që më 19 korrik kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme meqë u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë.