Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pas së cilës i janë drejtuar publikut në një konferencë për media, transmeton FrontOnline.
Në fillim të fjalës së tij, Vuçiq falënderoi Stoltenberg.
“Ne diskutuam të gjitha çështjet e rëndësishme për më shumë se një orë e gjysmë dhe bashkëpunimi me NATO-n dhe KFOR-in është i rëndësishëm për ne, me shpresën se do të ofrojmë siguri në Kosovë ”, thotë presidenti Vuçiq.
“Serbët rrallë janë kërcënuar dhe sulmuar, shqiptarët asnjëherë nuk janë sulmuar. Për të qenë të saktë, vetëm serbët janë sulmuar që nga viti 2001 dhe sidomos kur Kurti ka qenë në pushtet”, tha Vuçiq, transmeton FrontOnline.
“Meqenëse e di se Perëndimi është i interesuar vetëm për Banjskën dhe Zveçanin, më duhet të them se ne kemi një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kuptojmë kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit”, tha ai.
Vuçiq ka shtuar se Ushtria Serbe e ka kryer punën e saj në mënyrë profesionale.
“Bashkëpunimi ynë me NATO-n është korrekt”, tha Vuçiq.
Presidenti serb tha se do t’i dërgojë kërkesë Qeverisë për ushtrime ushtarake.
“Ne kemi problem me interpretimin politik të Rezolutës 1244 kur bëhet fjalë për vendet perëndimore”, theksoi Vuçiq.
“Serbia do të ruajë paqen. Ne jemi duke punuar në procesin e dialogut për të arritur një zgjidhje kompromisi dhe të jem i sinqertë, zoti Stoltenberg, nuk ka asgjë nga Asociacionin për sa kohë që Albin Kurti është në pushtet”, thotë Vuçiq.
Ai shton se fuqitë perëndimore do t’i mbrojnë gjithmonë “fëmijët e tyre”.
“Mezi pres forcimin e bashkëpunimit, Vuçiq dhe unë diskutuam tensionet në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it. Ne do të vazhdojmë ta ruajmë sigurinë në Kosovë në kuadër të KFOR-it”, tha Stoltenberg.
“NATO është e gatshme të ruajë paqen. Unë mirëpres koordinimin e ngushtë midis ushtrisë serbe dhe KFOR-it. Unë llogaris në të gjitha palët për të ulur tensionet,” tha Stoltenberg.
“Unë mbështes formimin e Asociacionin, ky do të ishte çelësi i normalizimit”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg sot do të bisedojë edhe me kryeministren serbe Ana Brnabiq.
Stoltenberg mbërriti në Beograd nga Prishtina dhe filloi turneun e tij në Ballkanin Perëndimor në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pas takimit të djeshëm në Prishtinë me Vjosa Osmanin, ai tha se NATO e mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, “sepse vetëm dialogu mund të ruajë paqen dhe sigurinë”.
Ai do të udhëtojë nga Beogradi në Maqedoninë e Veriut./FrontOnline/