Kreu i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk e njohin Kosovën pa fituar asgjë
Vuçiq, la të kuptohet se Beogradi mund ta njohë Kosovën si shtet sovran, por tha se një gjë e tillë do të kërkonte diçka në këmbim.
Vuçiq i bëri komentet në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve ANSA.
“Së pari duhet të gjejmë kompromisin. Nuk mund ta njohim Kosovën pa fituar asgjë”, tha Vuçiq.
“Jam i sigurt se me ndihmën e miqve evropianë dhe me mbështetjen e Rusisë, Amerikës, Kinës dhe vendeve të tjera, mund të arrijmë një zgjidhje”, shtoi ai.
Beogradi dhe Prishtina janë nën presion ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, si kusht për të përparuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në muajt e fundit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Vuçiq, kanë folur disa herë për idenë e ndryshimit të kufijve, si mundësi për marrëveshje.
Kjo ide ka hasur në reagime për dhe kundër.