Vuçiq pranon letrën nga presidenti Trump, ja kërkesat e tij

16:16 | 20 Dhjetor 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuciçq kanë pranuar nga një letë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Trump, pas presidentit Hashim Thaçi, i ka nisur letër edhe kreut të shtetit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, raporton Gazeta Express.

Në këtë letër thuhet që nuk duhet humbur shansi i madh për të arritur një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që do të ndikonte në stabilitet, paqe, siguri dhe rritje ekonomike.

“Duke qenë se keni hyrë në fazën e fundit të arritjes së një marrëveshje me Kosovën, që do të sillte një vendosje afatgjate të paqes në rajon, do të iu inkurajoja që të shfrytëzoni momentin për të marrë vendime që do të balanconin interesin e të dy shteteve. Do të ishte një regres i madh, nëse humbet kjo mundësi, për paqe, stabilitet, siguri dhe rritje ekonomike”, thuhet në letrën e Trump dërguar Vuçiqit.

Gjithashtu, në këtë letër është bërë thirrje që të dy palët të distancohen nga veprime të cilat do të pengonin arritjen e një marrëveshjeje.

“Një zgjidhje paqësore dhe një raport produktiv ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të ishte moment historik për rajonin”, vazhdon letra.

Në këtë letër potencohet edhe fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme për të asistuar në këtë.

Trump ka thënë se do t’i presë dy presidentët, Vuçiq dhe Thaçi, në Shtëpinë e Bardhe për të festuar atë që do të quhej arritje historike.

Megjithatë dje Aleksander Vuçiq, kishte thënë se nuk pajtohet plotësisht me letrën që Donald Trump i kishte dërguar presidentit Thaçi, duke thënë se nuk janë afër arritjes së marrëveshjes finale.

Komento: