Vuçiq në mbrëmjen e 8 majit do të udhëtojë për në Tiranë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pritet që javën e ardhshme të takohet në Tiranë me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 8 maj do të udhëtojë për në Romë, ku do të takohet me zëvendëskryeministrin e Italisë, Matteo Salvini, ku temë diskutimi do të jetë Kosova.
Siç shkruan mediumi serb “Tanjug.rs”, duke u thirrur në burime, pas këtij takimi, nuk do të ketë ndonjë prononcim për medie, por që Vuçiq, në mbrëmjen e 8 majit do të udhëtojë për në Tiranë ku edhe do të takohet me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Njëjtë si me zëvendëskryeministrin italian Salvinin, Vuçiq edhe me Mogherinin do të bisedojë për Kosovën, transmeton lajmi.
Po ashtu ky medium serb shkruan se, Vuçiq do të takohet me Mogherinin në kuadër të procesit të samitit “Brdo-Brioni”, i cili mbahet dy ditë radhazi në Tiranë.
Kujtojmë se më herët, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka njoftuar për pjesëmarrjen e Vuçiqit në samitin “Brdo-Brioni”, ku sipas Gjuriqit, pjesëmarrja e Vuçiqit në këtë takim është në vazhdën e angazhimit të tij diplomatik në kërkimin e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës.
Gjuriq, theksoi se këto takime do të jenë një mundësi tjetër për serbët që të tregojnë vendosmërinë e tyre për të ndërtuar marrëdhënie normale në rajon.