Vuçiq s’ndal provokimet: Javën e ardhshme formohet grupi i ekspertëve për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit

18:13 | 13 Gusht 2026

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të formohet një grup ekspertësh që do të shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Vuçiq ka pretenduar se për këtë çështje ekziston dokumentacion paraprak i një projekti, i cili lidhet me një kërkesë të mëhershme për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël pranë Ribariqit.

Ai i bëri këto deklarata të enjten gjatë vizitës në fshatin Veliki Popoviq, ku u pyet edhe për reagimet nga jashtë, përfshirë ato nga Brukseli, lidhur me planet e tij.

“Do t’ju kujtoj, do t’ju jap të dhënat. Do të shihni se këtë e kishte kërkuar dikur Komuna e Novi Pazarit dhe këtë e kishte kërkuar dikur këshilli boshnjak apo ndonjë organizatë e tillë. Kishin kërkuar ndërtimin e një hidrocentrali të vogël pranë Ribariqit”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka thënë se dokumentacioni ekzistues do të shqyrtohet nga ekspertët.

“Ekziston një dokumentacion paraprak i projektit, por së shpejti, që javën e ardhshme, do të formohet një grup ekspertësh që do t’i shqyrtojë të gjitha këto dhe do të merret me këtë çështje”, tha presidenti serb.

Kjo është hera e pestë që nga 9 gushti që Vuçiq ka folur publikisht për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Ibri është një nga burimet kryesore që furnizon liqenin artificial të Ujmanit, prej të cilit me ujë furnizohet një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës.

Deklaratat e vazhdueshme të presidentit serb kanë shkaktuar reagime në Kosovë, Shqipëri, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komento: