Pas kthimit nga Brukseli, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është deklaruar edhe njëherë para mediave.
Ndër të tjerash, Vuçiq tha se Serbia do të pranojë propozimin e Shefit të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell për të mos lëshuar më targa “KM”.
Vuçiq tha gjithashtu se për ta problemi është se “serbët e dinë mjaftë mirë se nuk është obligim i tyre që të paguajnë haraç që nuk është paraparë me asnjë akt”.
Ai gjithashtu paralajmëroi që sonte në ora 23:00, do të takohet me serbët nga Kosova.
“Në veriun e Kosovës ka një zemërim të madh në mesin e popullatës serbe dhe sonte do të kem përsëri takime me Mojsiloviqin dhe Vuçeviqin, e më pas nga ora 23:00 do të kem takim me serbët nga Kosova. Kërkesa ndaj tyre është që të përpiqen të ruajnë paqen”, shtoi Vuçiq, transmeton lajmi.
Ndryshe sonte përfundon afati i lëshimit të fletëqortime, kurse duke filluar nga nesër Policia e Kosovës do të vazhdojë me shqiptimin e gjobave prej 150 euro për serbët të cilët nuk kanë konvertuar targat ilegale në RKS.