Vuçiq ‘vajton’ taksën, e pranon se për ta është me rëndësi të tregtojnë me Kosovën

15:57 | 06 April 2019

Presidenti serb Aleksander Vuçiq ka pranuar se për ta është me rëndësi të tregtojnë me Kosovën.

Gjendemi në rrugën qorre ku na kanë hedhur, ka thënë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq duke folur për gjendjen aktuale të dialogut me Kosovën për të cilin ka shtuar se është ndërprerë për shkak të taksës së vënë ndaj mallrave serbe, përcjell agjencia serbe e lajmeve tanjug.

Ka deklaruar se kjo masë mund të hiqet vetëm me një presion të madh ndaj Kosovës.

“Është e vështirë të shihet dalja nga kjo rrugë qorre në të cilën jemi gjendur jo me fajin tonë. Jemi të hedhur në një rrugë qorre e dikush tjetër me kujdes ka vozitur deri këtu”, citohet të ketë thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.

Ai ka shfaqur shpresën se do të bëhet një presion i fuqishëm ndaj Kosovës që ta heqë taksën, kjo është e mundshme sipas tij, porse frikohet se kjo gjë nuk do të ndodhë.

“Kështu kemi problem. Edhe ata kanë problem të madh. Për ne është shumë me rëndësi ta ruajmë stabilitetin, të mund të tregojmë me Kosovën dhe me të gjithë të tjerë”, ka përfunduar Vuçiqi.

Komento: