Vuçiq vazhdon me kritika për Platformën, fton ndërkombëtarët që t’i bëjnë presion Kosovës

18:21 | 27 March 2019

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur së fundi për dialogun me Kosovën dhe theks të veçantë i ka vënë taksës dhe Platformës për Dialog.

Ai ka thënë se zgjedhja e problemit me Kosovën është jetike për të ardhmen e Serbisë, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë dhënë për organizatën austriake të shërbimit publik “ORF”, Vuçiq ka thënë se Serbia nuk e ka mbyllur derën e dialogut.

Sipas tij, dialogu me Kosovën do të vazhdojë në momentin që hiqet taksa.

“Ne nuk duam të mbyllim derën e dialogut me kosovarët nesh e heqin taksën. Besoj se diskutimi dhe përpjekja për të zgjidhur problemin e Kosovës është me rëndësi kyçe për të ardhmen e Serbisë, e dyta është se ne duam të tregojmë stabilitet të plotë për të gjithë botën, seriozitet dhe përgjegjësi për lloje të ndryshme investimesh”, tha Vuçiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Tutje në këtë intervistë Vuçiq, ka folur në lidhje me investimet që Austria mund t’i bëj në Serbi. E këto investime Vuçiq si duket i ka lidhur me çështjen e dialogut dhe stabilitetit.

“Do të presim për disa kohë për shqiptarët, do të luftojmë për investime dhe reduktim të papunësisë dhe pastaj do të marrim një vendim”, shtoi ai dhe theksoi se kjo do të jetë në të ardhmen e afërt.

Presidenti serb është pyetur nëse ka “dritë në fund të tunelit”, sa i përket çështjes së Kosovës, pasi që muajt e fundit edhe është bllokuar dialogu.

Ai madje platformën e Kosovës për dialogun me Serbisë e ka quajtur si platformë kundër dialogut dhe ka kërkuar që ndërkombëtarët të bëjnë presion ndaj Kosovës për këtë platformë.

“Për pesë muaj që kur taksa është vendosur ndaj Serbisë, nuk ka përparim. Kosovarët nuk duan të bisedojnë, madje kanë bërë një platformë kundër dialogut. Unë nuk jam optimist, por mbështetem në vendet perëndimore që mund të ushtrojnë presion mbi kosovarët në vendimet e paligjshme të ndryshimit. Nëse kjo nuk ndodhë, është mirë të ruhet paqja, edhe pse nuk do të jetë e lehtë”, ka theksuar Vuçiq.

Ndryshe, dialogu Kosovë-Serbi, është bllokuar nga ana e Serbisë për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind nga Kosova për produktet me origjinë serbe.

Komento: