
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ai ka shprehur respekt për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, por se kjo, sipas tij, nuk është e mjaftueshme për politikanët në Bosnje e Hercegovinë.
Në një intervistë për Televizionin Federal (FTV) më 26 janar, ai tha po ashtu se “popullit i mjafton respekti për viktimat”, ndërsa politikanët janë ata që këmbëngulin në përdorimin e fjalës “gjenocid”.
“U përkula para viktimave, tregova nderim dhe respekt, por për disa kjo nuk ishte e mjaftueshme sepse dikush donte të bënte një shfaqje politike”, tha Vuçiq.
Për gjenocidin ndaj të paktën 8.372 boshnjakëve dhe krime të tjera lufte në rajonin e Srebrenicës, më shumë se 50 persona janë dënuar me rreth 700 vjet burgim.
Me vendime gjyqësore, ndër të tjerë, me burgim të përjetshëm janë dënuar Radovan Karaxhiq, ish-presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në kohën e luftës dhe komandanti kryesor i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq./REL/