Aleksandër Vuçiq ka vlerësuar UNESCO-n për mbrojtjen e asaj që ai e quan ‘trashëgimi e rrezikuar serbe në Kosovë’.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten, në një takim në Beograd me drejtoren e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, se Serbia i vlerëson aktivitetet e kësaj organizate në mbrojtjen e “trashëgimisë së rrezikuar serbe në Kosovë”.
Sipas Vuçiqit, kjo trashëgimi historike, kulturore dhe fetare është trashëgimi e gjithë botës.
Në komunikatën e Presidencës serbe, të lëshuar pas takimit, po ashtu thuhet se Vuçiq “shprehu mbështetje për përpjekjet e Azoulayt për të ruajtur vlerat thelbësore, mbi të cilat bazohet puna e UNESCO-s, si dhe për të parandaluar politizimin e saj”.
Kosova nuk është anëtare e UNESCO-s (Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë). Në vitin 2015, ka aplikuar, por ka dështuar.
Për pranimin e Kosovës nevojiteshin 95 vota për, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila është mbajtur në Paris. Por, në favor të pranimit të Kosovës kanë votuar 92 vende.