Vuçiqi në Tiranë përmend bashkimin e shqiptarëve, e quan ide të rrezikshme

10:17 | 09 May 2019

Aleksandar Vuçiqi në Tiranë ka thënë se diskutimet për bashkim të shqiptarëve janë të rrezikshme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të marrë pjesë në samitin e sotëm të Tiranës të Procesit Brdo–Brijuni, ndërsa pas takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, në kryeqytetin shqiptar, ai tha se është i shqetësuar me ndodhitë e çuditshme mes Tiranës dhe Prishtinës.

Vuçiqi u tha gazetarëve të mërkurën mbrëma se me Mogherinin ka bërë njëfarë analize të asaj që ka ndodhur në samitin e Berlinit, sikurse edhe ngjarjet e ditëve të fundit.

“Kur i lejoni një populli, të dytit për nga madhësia në Ballkan pas atij serb, të flet për bashkim, kjo nuk është hapje e kutisë së Pandorës por diçka edhe më e rrezikshme”, ka thënë Vuçiqi, citon FoNet televizionin publik serb.

Tha se bisedat për një mini-Schengen mes Prishtinës dhe Tiranës nuk është e mundshme dhe se është një tregim fiktiv.

“Kjo tregon se ata gjatë gjithë kohës thirren në Evropë duke e shfrytëzuar si një mbulesë, mirëpo në Evropë nuk ekziston një rregull i tillë”, tha Vuçiqi, transmeton Koha net.

Sipas tij, nga samiti në Sofje, shqiptarët nuk ndjejnë të njëjtën përkrahje nga zyrtarë evropianë siç e kanë ndierë më parë dhe kjo po u shkakton nervoz të madhe ndërsa Beogradit po i shkakton probleme.

“Kjo për ne nuk është pozitë e lehtë”, shtoi ai, duke theksuar e të enjten do të takohet me presidentët Ilir Meta dhe Hashim Thaçi dhe se do të bisedojë shkurtimisht me ta dhe do t’u thotë çfarë mendon.

Megjithatë, thotë se druan që nuk do t’ia dalë t’ua sqarojë atyre se sa të dëmshëm janë hapat e tyre sepse ata s’dëshirojnë të dëgjojnë as ata që për ta janë më të rëndësishëm dhe më të pranueshëm, siç janë përfaqësuesit evropianë.

Thotë se sikur ai të fliste për një bashkim nacional serb, në po të njëjtën minutë do të reagonin shërbimet e huaja dhe organet e BE-së sikurse edhe së paku 10-15 ministra të shteteve anëtare.

Shton se shqiptarët ia kanë dalë që duke e përsëritur çdo ditë, siç është edhe taksa, ta bëjnë atë çështje normale dhe të mos reagojë askush për të.

Sa i përket taksës, Vuçiqi tha se nga kjo politikë, Serbia ka humbur 250-300 milionë euro dhe shtoi se njerëzit duhet të kuptojnë se shqiptarët kanë ‘shpinë të fortë’ në botën perëndimore, duke përmendur paratë e ndara për lobim.

Në pyetjen rreth protestës së Vetëvendosjes në Tiranë për shkak të vizitës së tij,Vuçiqi tha se “nuk e përcakton Albin Kurti se ku shpallem unë ‘persona non grata’” dhe shtoi se nuk i interesojnë këto lojëra e tregime.

Komento: