Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar të mërkurën mbrëma Raportin e Progresit për vendin e tij.
Në konferencën për shtyp, Vuçiq foli edhe për dialogun me Kosovën. Në një moment tha se Serbia është vetë fajtore që ka lejuar që bisedimet të zhvendosen në Bruksel, përcjell B92.
“Sa i përket Kosovës, ne vetës ia bëmë çorbën kur morëm vendimin për t’i zhvendosur bisedimet në BE. Dhe tani mund të ankohemi te Shën Pjetri, ata e shohin Kosovën si shtet të pavarur ose duan të na çojnë drejt kësaj”, tha Vuçiq.
Në Serbi ka pasur përpjekje që dialogu të shkojë përmes OKB-së, ku do të përfshihej edhe Rusia e Kina.
Foli edhe për presionin ndërkombëtar në lidhje me Rusinë. Tha se Serbia po e paguan çmimin pse nuk po i vendos sanksione Rusisë.
“Tash do të marrin naftë me çmim më të shtrenjtë”, tha ai.
Raporti i Progresit për Serbinë përmban shumë kritika për shumë dikastere.
Vuçiqi tha se ai është një raport korrekt, pa përmendur kritikat.