Vuçiqi ‘shpërthen’ kundër shteteve të QUINT-it: Turp, po duan ta thyejnë Serbinë

00:01 | 21 Prill 2023

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i mllefosur me deklaratat e shteteve të QUINT-it për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.

Shtetet e QUINT-it, përfshirë ShBA-të, kanë deklaruar se me apo pa pjesëmarrjen e serbëve, ata do t’i njohin si legjitime zgjedhjet, dhe do t’i mirëpresin rezultatet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Mirëpo, kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer presidentit Vuçiq, i cili thotë se këto po bëhen për ta mbrojtur Kosovën e për ta shkatërruar Serbinë.

“Kjo është gjëja më e neveritshme dhe më e korruptuar që kanë mundur ta bëjnë. Turp për të gjithë bashkë! Komplet Quint-in, gjithë ata gënjeshtarë! Ndoshta do të më thyejnë mua, por nuk do t’i lë ta thyejnë Serbinë”, tha Vuçiqi në intervistë për televizionin serb “Prva”, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Vuçiq tha se qëllimi i Quint-it është të parandalojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit nga viti 2013.

“Quint-i po e bën këtë sepse kur dikush nga ekipi menaxhues serb më 2 maj të prezantojë draftin e Statutit të AKS-së, (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti do të thotë se e pranon, por se nuk ka komuna serbe në veri të Kosovës që të duan t’i bashkohen AKS-së, sepse Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut dhe Leposaviqit e Zveçanit”, tha Vuçiqi.

“Nga 15 mijë banorë në Leposaviq, në listën zgjedhore janë të regjistruar 300 shqiptarë, që është dy për qind. Pjesëmarrja në asnjë komunë nuk do të jetë më e madhe se tre apo katër për qind, do të jetë një ditë në të cilën turpi i Evropës dhe botës do të shënohet zyrtarisht për gjithçka që organizuan, që mirëpresin dhe që bëjnë”, tha Vuçiq.

Për këto deklarata të Vuçiqit, kanë reaguar edhe nga Presidenca.

Shefi i Kabinetit të Presidencës, Blerim Vela, ka thënë se Vuçiq e ka bërë Serbinë gazin e botës për abuzimin ndaj mediave dhe institucioneve.

“Vuçiq e ka bërë Serbinë gazin e botës për abuzimin e intitucioneve shtetërore, mediave dhe aty ku zgjedhjet “gatuhen” ka guximin të thotë se në veri të Kosovës janë “ditë e tmerrshme për demokracinë”!”, ka shkruar Vela në Twitter.

Zgjedhjet në katër komunat veriore do të mbahen më 23 prill.

Komento: