
Me kërkesë të Vetëvendosjes, grupit më të madh në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të enjten do të mbahet mbledhje e jashtëzakonshme për emërimin e kryesuesit të ri.
Thirrjes së tyre i janë bashkuar edhe dy asamblistë, një i pavarur e tjetri i AKR-së.
Kështu tha për Front Online, shefi i këshilltarëve të VV-së, Gëzim Sveçla.
“Tashmë e kemi pranuar edhe thirrjen zyrtare nga Zyra e Kuvendit, për mbledhjen e jashtëzakonshme e cila do të mbahet të enjten në ora 11:00. Ne si grup i kemi çdo herë nënshkrimet e mjaftueshme për të thirrur seanca sepse ligji e thotë që duhen nënshkrimet e 1/3 të numrit të përgjithshëm të asamblistëve, e 1/3 e kemi vetëm ne si grup. Megjithatë përveç grupit tonë edhe një asamblist i pavarur dhe një i subjektit AKR e kanë deponuar nënshkrimin e tyre në kërkesën për mbledhje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Nuk dihet ende se kush do të jetë propozues për këtë pozitë.
Sveçla tha për Front Online se nuk janë duke bashkëpunuar me asnjë parti për ta zgjedhur një emër për kryesues të kuvendit komunal.
Ai thotë që duhet t’i jepet fund kësaj situate, sic tha ai kaotike tash e sa muaj në Kuvendin Komunal.
“Nuk jemi duke bashkëpunuar dhe nuk jemi duke negociuar me asnjë parti. Ne ju kemi bërë thirrje të gjithë asamblistëve, nga të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, që të vijnë në mbledhje dhe t’i japim fund kësaj gjendje kaotike që është tash e disa muaj në Kuvendin Komunal, ta zgjedhim një kryesues dhe ta kthejmë normalitetin dhe funksionalitetin e kuvendit. Duhet të dihet se ata që vijnë në seancë dhe kushdo që voton nuk është duke i kryer nder as shërbim Lëvizjes Vetëvendosje sepse Kuvendi është i qytetit dhe i qytetarëve, por vetëm janë duke i kryer detyrat e tyre dhe duke i ushtruar përgjegjësitë dhe kompetencat që ju takojnë”, u shpreh ai për Front Online.
Sveçla: Vetëvendosja nuk ka vota për kryesuesin e LDK-së apo PDK-së
Ani pse LVV-ja në Prishtinë ka ftuar seancë të jashtëzakonshme, nuk do të propozojnë asnjë anëtarë për kryesues.
Kështu tha Gëzim Sveçla nga LVV për Front Online.
“Me qëllim të zhbllokimit të situatës së krijuar, për t’i lëvizur proceset përpara, ne si LVV edhe pse jemi grupi më i madh në kuvend, jemi deklaruar se nuk do të propozojmë ndonjë anëtarë nga radhët tona për kryesues”, u shpreh ai.
VV-ja në Prishtinë pret nga partitë e tjera të propozojnë kryesuesin e ri.
Por, Gëzim Sveçla tha për Front Online se propozimet e LDK-së e të PDK-së, VV-ja nuk i voton.
“Në këtë drejtim, për të mirën e qytetit dhe mbarëvajtjes së punëve, jemi shumë konstruktiv dhe bashkëpunues për zgjedhjen e një kryesuesi të ri nga radhët e asamblistëve që janë pjesë e Kuvendit Komunal. Sigurisht, këtu përjashtohet mundësia që kandidati të vjen nga radhët e LDK-së sepse ata tashmë e kishin kryesuesin dhe tashmë u pa që kuvendi nuk funksionon me kryesues të LDK-se, ndërkohë që edhe PDK, pas daljes nga koalicioni, është deklaruar që lëshojnë rrugë. Pra për këto dy subjekte që kanë qeverisur bashkë deri me 8 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka vota për kryesues”, ka thënë ai për Front Online.
Ai në fund tha që janë të interesuar të lëvizin gjërat.
“Ne nuk e kemi fokusin te emrat e përveçëm, ne jemi të interesuar të lëvizin gjërat. Mbledhja është të enjten dhe çdo asamblist ose çdo grup i asamblistëve mund ta propozoj personin që mendon se mund ta ketë përkrahjen e së paku 26 asamblistëve dhe që i zotëron kapacitetet për ta kryer rolin e Kryesuesit të Kuvendit”, tha ai.
Ndryshe, është muaji i tretë që Komuna e Prishtinës nuk ka mbajtur një mbledhje të rregullt.
Sipas ligjit, Kuvendi i Komunës së Prishtinës konsiderohet jofunksional nëse nuk e zgjedh kryesuesin brenda 30 ditësh, por kjo vlen pas themelimit të saj.