Prokuroria Speciale e Kosovës i ka dërguar mbrëmjen e kaluar një ftesë kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur si dëshmitar më 16 dhjetor 2024 në Gjykatë, ka njoftuar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Zëdhënësi nuk ka dhënë detaje të tjera mbi thirrjen, por ka theksuar se kjo ndodhi ndërkohë që Kurti po merrte pjesë në një mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje” për të përmbyllur listën e kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2025.
Në postimin e tij në “Facebook” Kryeziu theksoi se Kryeministria ishte njoftuar për ftesën dhe se ajo kishte të bënte me një rast lidhur me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës.
Kryeziu e kritikoi këtë veprim dhe e lidhi me mundësinë e ndërhyrjes në procesin zgjedhor, duke kujtuar se një vendim gjyqësor në vitin 2021 e kishte pamundësuar Kurtin të garonte në zgjedhjet e asaj kohe dhe tani, sipas tij, ftesa mund të ndikonte në zgjedhjet e vitit 2025.
Deputetja e VV-së: E çuditshme dhe interesante ftesa e Prokurorisë pikërisht kur po i përfundonim listat për deputet
Në lidhje me thirrjen e Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti, për FrontOnline është deklaruar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mirlinda Tishukaj. Ajo e ka cilësuar ftesën si “shumë interesante dhe të çuditshme”, duke theksuar se ka ardhur pikërisht në momentin kur ata ishin duke përmbyllur listat për zgjedhjet e vitit 2025.
‘’Është interesante dhe bash e çuditshme ftesa Gjykatës pikërisht në momentin që ne ishim duke i përfunduar listat domethënë me e marr një ftesë të tillë prej prokurorisë’’, tha Tishukaj për FrontOnline.
Sipas Tishukajt, nëse shikohet nga jashtë, kjo ftesë duket shumë e çuditshme, e habitshme dhe shumë dyshuese, pasi ka pasur mundësi të tjera për ta bërë këtë thirrje.
‘’Nëse e shikon prej perspektivës së jashtme është e çuditshme, e habitshme dhe shumë e dyshimtë pse pikërisht në këtë dit kur ka pasur dit të tjera’’, shtoi ajo.
Ajo po ashtu theksoi se kryeministri ka qenë në detyrë për tre vjet e gjysmë dhe se çështja për rezervat shtetërore ka pasur një komision hetimor, ka pasur raportime nga ministra, dhe disa individë nuk janë lejuar për shkak të ligjit që sanksionon veprime të tilla. Mirlinda Tishukaj e konsideroi shumë të çuditshme dhe të habitshme që ftesa të vinte pikërisht dje, kur kishte pasur ditë të tjera për ta bërë këtë.
‘’Ai është kryeministër që 3 vite e gjysmë dhe çështja për rezervat shtetërore ka pasur edhe komision hetimor, ka pasur raportime edhe nga ministra edhe pse disave nuk u është lejuar për shkak të ligjit që sanksionohet, prandaj pse pikërisht dje është e çuditshme sinqerisht dhe përnjëmend e habitshme’’, përfundoi Tishukaj.
Haxhiu: Ftesa për Kurtin nga Specialja nuk është ndonjë befasi, ai duhet të përgjigjet
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka komentuar ftesën e Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti. Ai ka thënë se ftesa për Kurtin, për t’u paraqitur si dëshmitar, nuk është një surprizë për të, pasi, sipas tij, kjo qeverisje ka pasur shumë afera korruptive gjatë mandatit të saj.
‘’Ftesa e Kurtit ishte një ftesë si dëshmitar nga Prokuroria e Kosovës, nuk është ndonjë befasi për mua, sepse kjo qeverisje me shumë afera korruptive përgjatë këtij mandati 4 vjeçar’’, tha Haxhiu për FrontOnline.
Haxhiu ka përmendur një rast ku Kurti, si kryeministër, ka nënshkruar një vendim për të shmangur procedurat e tenderimit për blerjen e rezervave shtetërore, duke i dhënë 10 milionë euro Ridvan Muharremit, një miku të tij. Ai ka thënë se këto rezerva shtetërore nuk janë dërguar në Kosovë, dhe për këtë arsye, Prokuroria ka dyshime dhe duhet të intervistojë për këtë çështje.
‘’Unë potencova edhe më herët që kur një kryeministër nënshkruan vendimin për t’iu shmangur procedurave të tenderimit për blerjen e rezervave shtetërore e i jepen 10 milionë euro Ridvan Muharremit , mik I kryeministrit që t’i siguroj ato rezerva shtetërore. Pasi që rezervat shtetërore nuk vinë në Kosovë, atëherë duhet të intervistohet nga prokuroria për cilësitë për të cilat dyshon Prokuroria’’, tha tutje deputeti Haxhiu.
Haxhiu ka theksuar se Kryeministri Kurti nëse nuk u përgjigjet kërkesave të institucioneve të drejtësisë do ta dëmtojë sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Ai ka nënvizuar se të gjithë, pavarësisht pozitave që mbajnë, kanë obligim t’u përgjigjen institucioneve të drejtësisë, sepse pozita udhëheqëse nuk amniston nga llogaridhënia.
‘’Nëse instititucionve të drejtësisë Kurti nuk u përgjigjet, atëherë ai përpiqet ta rrënojë sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Të gjithë kanë obligim t’i përgjigjen institucioneve të drejtësisë, pavarësisht pozitave,, sepse pozita udhëheqëse nuk amniston nga llogaridhënia’’, përfundoi Haxhiu.
Kadrijaj për ftesën e prokurorisë Speciale: Kryeministri e ka detyrim të përgjigjet, askush nuk është mbi Ligjin
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka komentuar thirrjen e Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti. Ajo e ka quajtur ftesën normale, duke theksuar se Prokuroria ka të drejtë të kryejë hetime, në varësi të rasteve.
‘’Ftesa është normale. Prokuroria ka të drejtë varësisht qysh i ka rastet’’, tha Kadrijaj për FrontOnline.
Kadrijaj ka theksuar se ka dëgjuar që Kurti është thirrur në cilësinë e dëshmitarit dhe se kryeministri duhet të përgjigjet, pasi askush nuk është mbi ligjin. Ajo ka përmendur gjithashtu se edhe ata, si deputetë, janë thirrur nga Prokuroria dhe Gjykata dhe iu janë përgjigjur thirrjeve për të sqaruar çështje, duke theksuar se askush, as kryeministri, nuk është mbi ligjin dhe ka detyrimin të përgjigjet.
‘’ Dëgjova që Kurti është thirr në cilësinë e dëshmitarëve dhe kryeministri duhet t’u përgjigjet, sepse askush nuk është mbi ligjin , s’ka një javë që edhe ne në rastin ‘’gazi’’ kemi qenë në prokurori, jemi ftuar në gjykatë dh iu kemi përgjigjur ftesës së gjykatës për t’u sqaruar askush nuk është mbi ligjin as kryeministri dh kryeministri e ka detyrim të përgjigjet’’, përfundoi Kadrijaj.
Muhaxhiri: Kryeministri e ka edhe obligim edhe ligjor edhe moral t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale
Njohësi i çështjeve të politikës, Artan Muhaxhiri, ka komentuar thirrjen e Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti, duke e konsideruar kohën e ftesës si shumë të çuditshme.
‘’ Koha e ftesës është shumë e çuditshme’’, tha Muhaxhiri.
Ai ka theksuar se ky proces ka vite që po zhvillohet dhe ka mundësi që kjo thirrje të kishte ardhur në një kohë më pak problematike. Muhaxhiri ka shpjeguar se fushatat zgjedhore janë gjithmonë një periudhë jashtëzakonisht e veçantë dhe e ngarkuar, dhe për këtë arsye, ftesa mund të hiperbolizohet, interpretohet ose devijohet në mënyra të ndryshme, edhe nëse është pjesë e një procedure të zakonshme.
‘’ Ky proces ka vite që po zhvillohet dhe mendoj që ndoshta edhe ka pasur mundësi që kjo ftesë të vijë në një kohë më joproblematike sepse fushatat zgjedhore gjithmonë janë një kohë jashtëzakonisht e veçante kështu që mund të hiperbolizohet mund të interpretohet mund të devijohet edhe në qoftë se është procedurë e zakonshme’’, tha tutje Muhaxhiri.
Ai ka theksuar gjithashtu se kryeministri ka një obligim ligjor dhe moral t’i përgjigjet kësaj ftese, për të treguar respekt për institucionet e drejtësisë dhe për të shpjeguar rolin e tij eventual në këtë proces. Muhaxhiri ka vënë në dukje se ky proces është shumë i dëmshëm për qeverinë dhe për besueshmërinë e institucioneve të Kosovës, pasi bëhet fjalë për një aferë korruptive me pasojat shumë të mëdha dhe një temë shumë delikate, siç janë rezervat shtetërore.
‘’ Kryeministri e ka edhe obligim edhe ligjor edhe moral t’i përgjigjet kësaj ftese dhe ta dëshmojë respektin për institucionet e drejtësisë dhe ta shpjegojë rolin e tij eventual në këtë proces, i cili është shumë i dëmshëm për qeverinë, por edhe besueshmërinë në institucione të Kosovës sepse bëhet fjalë për një aferë korruptive të përmasave shumë të mëdha dhe me temë shumë delikate siç janë rezervat shtetërore’’, përfundoi Muhaxhiri.