VV kërkon hetime për pretendimet për legalizime të paligjshme në Prishtinë

10:35 | 14 Gusht 2026
vv-kerkon-hetime-per-pretendimet-per-legalizime-te-paligjshme-ne-prishtine

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetimet lidhur me pretendimet për legalizime të paligjshme në kryeqytet, pas publikimit të disa mesazheve.

Shefi i grupit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, tha se asamblisti i VV-së Çlirim Gërbeshi është intervistuar dje, ndërsa sot per të njëjtën çështje është duke u intervistuar Berita Abazi, të cilët javë më parë patën dorëzuar këtë lënd në prokurori.

“Përmes jush, t’i drejtohemi qytetarëve të Prishtinës dhe opinionit në përgjithësi. Këtë konferencë e kemi thirrur në lidhje me zhvillimet e fundit në kryeqytet, që kanë të bëjnë me çështjen e legalizimeve të paligjshme që kanë rrjedhur si rezultat i disa publikimeve që kanë dalë në media, të shefit të kabinetit të kryetarit Përparim Rama. Fillimisht, duam të fillojmë konferencën me një shqetësim serioz për mungesë transparence në komunën e Prishtinës. Me datën 3 gusht, në përputhje me ligjin për qasjen në dokumente publike, kemi kërkuar zyrtarisht nga komuna e Prishtinës 4 dosje të plota të legalizimit, për 4 rastet konkrete që përmenden në mesazhet e publikuara. Një ditë pas afatit ligjor për përgjigje, dhe vetëm pas reagimit tonë që e kemi bërë në rrjetet sociale, komuna na është përgjigjur. I kemi kërkuar dosjet, por komuna nuk na i ka dhënë”, tha ai.

Sveçla tha se Komuna, në vend të dosjeve të plota, u ka dorëzuar katër certifikata të legalizimit, duke theksuar se dokumentacioni përcjellës dhe materialet bazë mbi të cilat janë marrë vendimet nuk janë dorëzuar.

“Në vend të tyre, na janë dorëzuar 4 certifikata të legalizimit. Pa dokumentacionin përcjellës dhe pa materialet bazë mbi të cilat janë marrë ato vendime, pra, ne i kërkuam dosjet, ata na dhanë certifikatat. Kjo është edhe më shqetësuese kur ligji përcakton se baza e të dhënave të legalizimit është publike, dhe se publiku ka të drejtë qasjeje në të. Për këtë çështje, tashmë jemi drejtuar me ankesë Agjensionit për Informim dhe Privatësi, dhe presim që kërkesa jonë dhe urojmë që e njëjta të trajtohet sa më fort, në mënyrë që të na sigurohet qasja e plotë në këto dokumente, të cilat janë të rëndësishme për publikun. Arsyetimi i komunës së Prishtinës për mbrojtje të privatësisë nuk qëndron fare, sepse tashmë po flasim për implikimet zyrtarëve të kryeqytetit, duke përfshirë edhe vetë kryetarin përparim Rama, prandaj po e përsëris: bëhet fjalë për çështje me interes për publikun”, tha ai.

Ai i ka bërë thirrje kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që t’i publikojë dosjet e plota nëse, sipas tij, procesi i legalizimeve është zhvilluar në mënyrë të rregullt.

“Dhe ndërkohë që presim vendimin e Agjensionit për Privatësi, kemi një pyetje konkrete për përparim Ramën dhe qeverisjen e tij në kryeqytet. Nëse gjithçka është në rregull, ashtu siç po pretendon zoti Rama, pse nuk po i hapni dosjet? Nëse legalizimet janë bërë sipas ligjit dhe nëse dokumentacioni është i rregullt, ju lusim ta publikoni të njëjtin. Sepse ato që na kanë dorëzuar certifikata tregojnë se objekti është legalizuar, dosja na tregon se si është legalizuar. Pra, certifikata e tregon rezultatin, kurse ne jemi të interesuar ta dimë procesin dhe procedurën. Këtë e mësojmë vetëm kur t’i kemi dosjet. Pavarësisht se nuk kemi pasur qasje në dosjet e plota, deri më tani kemi arritur të verifikojmë disa fakte shumë të rëndësishme. Në mesazhet e publikuara Florent Maliqi, shefi i kabinetit përparim Ramës, përmend objekte konkrete për të cilat pretendon se janë legalizuar në mënyrë të paligjshme”, tha ai.

Komento: